Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, Foto: KALLXO.com

Hovenier kërkon përpjekje për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha sot se fokusi i SHBA-së është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, e cila, sipas tij, do të ulte tensionet dhe do të ndihmonte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendojmë se është e rëndësishme të arrijmë shtendosje të mëtejme të situatës në veri” – tha Hovenier para mediave.

Gjëja e dytë që ambasadori tha se duan të shohin është përtëritja e përpjekjeve nga Kosova dhe Serbia për të arritur zbatim të plotë të kësaj Marrëveshjeje.

Kjo, sipas ambasadorit, ndihmon Kosovën për integrim në institucionet evropiane dhe euro-atlantike dhe ripozicionimin e marrëdhënies mes dy vendeve.

Prandaj, nga Qeveria e Kosovës kërkoi që të ndërmarrë hapa për të shtendosur situatën në veri dhe të krijojë një mjedis të ri ku të dyja shtetet mund të punojnë në zbatimin e të gjitha zotimeve në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit.

“Për Kosovën kjo nënkupton që të lëvizë përpara me një urgjencë në procesin për negocimin dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është pjesë e zotimeve që janë bërë nga Qeveria e Kosovës. Ky nuk është obligimi i vetëm që ka dhe ky nuk është neni i vetëm i Marrëveshjes së Ohrit, por është i rëndësishëm” – u shpreh Hovenier.

Ai shtoi se të dyja palët nuk po i plotësojnë të gjitha obligimet për të zbatuar Marrëveshjen.