Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Serbia e ka shkelur sërish marrëveshjen duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, thotë se Serbia sërish e ka shkelur Marrëveshjen bazike mes dy shteteve, me dy votat kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Europës. Ky votim është bërë më 27.03.2024 në Komisionin për Çështje Politike të Këshillit të Europës, në Paris të Francës.

“Votimi i Serbisë nuk ka qenë risi për neve. Serbia veç se i ka shkelur pothuajse të gjitha nenet e Marrrëveshjes bazike’- tha Bislimi në një konferencë për media, më 29.03.2024.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurt 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Sipas nenit 4 të Marrëveshjes të 27 shkurtit, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Bislimi thotë që të paktën më takimin e Komitetit për Politikë dhe Demokraci, Serbia i kreu një “shërbim indirekt Kosovës”, pasi që sipas tij me prezencën e tyre ndikuan në formimin e kuorumit.

“Ndoshta pa qëllim ata i kanë bërë nder Kosovës me prezencën e tyre sepse kanë ndihmuar në formimin e kuorumit, dhe rrjedhimisht ata i kanë bërë një shërbim indirekt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, por duke shkelur në të njëjtën kohë marrëveshjen bazike dhe duke ekspozuar qëndrimin e tyre ndaj fqinjësisë së mirë që për neve përbënë vlerë të rëndësishme”- u shpreh Bislimi.

Pas rekomandimit të Komisionit Politik për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, më 18 prill, në seancën e Asamblesë Parlamentare do të votojnë 306 deputetë nga 46 shtete. Pastaj, do të caktohet një datë për në muajin maj, ku pritet që të merret vendimi përfundimtar nga Komiteti i Ministrave, i përbërë prej 46 anëtarësh.

Javën e kaluar, përkatësisht më 27.03.2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Kundër kanë votuar dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.