Hoti: Në Samitin e Sofjes të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, mori pjesë në Samitin e Sofjes – Vendet e Ballkanit Perëndimor 6, i cili është vazhdimësi e Procesit të Berlinit.

Temë diskutimi në këtë Samit ishte Tregu i Përbashkët Rajonal – Katalizator drejt Tregut të Bashkimit Evropian.

“Në fund të këtij samiti gjashtë vendet anëtare të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dy deklarata, atë për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Deklaratën për Agjendën e Gjelbër. Me këtë rast, Kryeministri Hoti tha se janë duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Për shkak të pandemisë me Covid 19, takimi ishte virtual, ndërsa përpos përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, morën pjesë edhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe burrështetas të tjerë të vendeve anëtare të BE-së.

Në fjalimin e tij Hoti tha se është bërë përparim i konsiderueshëm që nga fillimi i Procesit të Berlinit, dhe se kjo është bërë e mundur falë lidershipit të fuqishëm të themeluesve dhe mbështetësve të këtij procesi.

“Besoj që sot jemi duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm së bashku si gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi.Është e qartë se Bashkëpunimi Ekonomik Rajonal stimulon rritjen, shton konkurrencën dhe investimet e huaja në rajon, duke shpejtuar konvergjencën tonë në drejtim të Bashkimit Evropian.Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe tani janë zonë e tregtisë së lirë, por për të realizuar përfitimet e plota të bashkëpunimit tonë rajonal, ne duhet t’i largojmë të gjitha barrierat e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe të njerëzve. Kosova është e përkushtuar që ta arrijë këtë”, ka thënë Hoti.

Ai tutje ka shtuar se pengesë për zhvillim të plotë të potencialit të Bashkëpunimin Ekonomik Rajonal, është mungesa e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis vendeve të rajonit, veçanërisht mungesa e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Unë, pres që procesi i dialogut në Bruksel do të përfundoj me sukses, së shpejti. Ne jemi të përkushtuar që t’i zgjidhim të gjitha çështjet bilaterale me Serbinë si pjesë e procesit të Brukselit”, ka thënë Hoti.