Hoti flet pasi u propozua për kryeministër nga LDK-ja

Kandidati i propozuar nga Kryesia e LDK-së për kryeministër të ardhshëm, Avdullah Hoti ka deklaruar se në qeverinë e re do të kenë para vetes dy sfida.

Hoti para mediave shtoi se kjo qeveri po krijohet në rrethana specifike.

“Kjo qeveri po krijohet në rrethana specifike të pandemisë dhe për shkak të zhvillimeve politike. Kemi hy në koalcion me marrëveshje të qartë po pastaj na u desht me marr vendim me dalë, për arsyet që tash dihet. Unë kam marr bekimin nga LDK-ja për të provuar të ndërtojmë ekipën për qeverinë e re që do të ketë sfidën e parë, menaxhimin e pandemisë dhe sfidën e dytë, rimëkëmbjen e ekonomisë”, tha ai.

Hoti mes tjerash tha se dialogu është çështja kryesore me të cilën do të ballafaqohen në qeverinë e re.

“Dialogu do të udhëhiqet nga qeveria. Jam i bindur që do të krijojmë edhe një konsensus të nevojshëm”, tha ai.

Ndërkaq sa i përket reciprocitetit me Serbinë, Hoti tha se çdo masë e reciprocitetit do të diskutohet me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.