Hoti dhe Dumoshi nënshkruajnë 38 kontrata me federatat sportive për mbështetje financiare
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, dhe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kanë nënshkruar 38 kontrata me federatat sportive të Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga fondi për mbështetjen e sportit në kohën e pandemisë.
Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi ka falënderuar qeverinë për mbështetjen e dhënë për sportin në kohën e pandemisë.
“Sot bashkë me mua janë kryetarët e federatave, presidenti i KOK-ut, ne jemi së bashku për të ju falënderuar për mbështetjen që ia keni dhënë sportit. Ne kemi pasur një bashkëpunim të madh më federatat qysh në muajt e parë të COVID-it, duke i respektuar vendimet dhe rregullat. Ne këtë vit si ministri kemi punuar edhe në infrastrukturë, në fusha sportive, pishina, fusha të tenisit, salla të basketbollit, kemi shpenzuar 4 milion euro buxhet në këtë kohë të jashtëzakonshme”, tha ministrja.
Dumoshi tha se nga ndihma do të përfitojnë një numër i madh i klubeve sportive.
“Do të përfitojnë një numër i madh i klubeve, diku 627 klube ku pjesëmarrja e sportistëve është 26 mijë sportistë, ku do ta kenë një siguri. Deri në fund të vitit 2 milion e 400 mijë do ti ndihmojnë federata sportive”, theksoi ajo.
Në anën tjetër kryeministri Hoti theksoi se mbështetja për sportin është obligim i qeverisë.
Hoti poashtu premtoi mbështetje të mëtutjeshme për federatat.
“I përgëzoj kryetaret e federatave për punën që e bëjnë, mbështetja e qeverisë nuk është favor por është obligim. Dëshiroj të ju falënderoj për bashkërendimin e aktiviteteve dhe kërkoj që ti rrini afër të gjitha klubeve në përmbushje të masave. Edhe vitin e ardhshëm e kemi parë një pako të mbështetjes për fushën e kulturës”, theksoi Hoti.
Kryeministri Hoti tha se rregullimi i bazës ligjore i ka hapur rrugën më të mirë sportit në Kosovë.
“Më vjen mirë që është rregullu baza ligjore shumë e qartë që federatat ta kryejnë punën e tyre në mënyrë bukur të pavarur edhe klubet e ndryshme me funksionu në kushte sipas standardeve evropiane, kemi me i qëndru afër aq sa kemi mundësi”, shtoi kryeministri.