Shkodran Imeraj, kryetar i LHK-së- Dega Deçan. Foto: KALLXO.com.

Historiani Imeraj - Qeverisë: Mos i zbatoni vendimet e regjimit të Millosheviqit

Historiani Shkodran Imeraj, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës, “Ali Hadri”, Dega në Deçan, i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës për të mos e zbatuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese që pronat e ish-ndërmarrjes “Iliria” dhe “Apiko” t’ i barten Manastirit të Deçanit.

Gjatë një konference për media të mbajtur të hënën, më 11.3.2024, Imeraj ka thënë se tokat e ish-ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” në Deçan, në viti 1993 dhe 1997 me vendime të ndara të autoriteteve të regjimit të Millosheviqit iu dhuruan Manastirit të Deçanit.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i datës 20.05.2016, për pronat e këtyre ndërmarrjeve,  bazën e ka në vendimet e kohës së masave të dhunshme të regjimit të Millosheviqit.

Sipas tij, zbatimi i këtij vendimi do të krijonte precedent edhe për raste tjera të kishave të ndërtuara gjatë regjimit të Millosheviqit në Kosovës, veçmas për kishën në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

“Ne i rikujtojmë kryeministrit Kurti që ai ka qenë dhe duhet të jetë akoma kundër vendimit sa i përket rastit për pronat në Deçan, (pronave të ish-ndërmarrjeve ‘Ilria’ dhe Apiko’), pasi  baza e tij është në vendimet e kohës së Millosheviqit. Udhëheqësit tanë duhet t ‘i bindin anëtarët të KE-së para votimit të kërkesës së Kosovës për pranim në këtë organizatë, se zbatimi eventual i vendimit të Kushtetueses do të jetë precedent i rrezikshëm për Kosovën”- tha ai.

Imeraj tha se as regjimi i MIllosheviqit, edhe pse i posedonte librat Kadastral, as në vitin 1993 e as në vitin 1997 nuk i ka bartur pronat në emër të manastirit në këto libra.

Sipas tij, qeveria duhet që pronat e ‘Ilirias’ dhe ‘Apikos’ t’ i shpallë pasuri kombëtare dhe të miratojë një ligj të veçantë me të cilin do të shpallë të pavlefshme të gjitha ligjet, vendimet dhe aktet nënligjore që i ka marrë Serbia për Kosovën gjatë viteve 1989-1999.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, gjatë një interviste për KALLXO.com, ka kritikuar Kosovën për mosrespektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Mandej ai ka thënë se pa respektuar vendimet e kësaj gjykata, Kosova s’mund të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Më 19.05.2016, me aktvendim, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte njohur pronësinë e ish-pronave prej 24 hektarëve të ish-ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko”, Manastirit të Deçanit.

Shkodran Imeraj, kryetar i LHK-së- Dega Deçan. Foto: KALLXO.com.