Sekuestrohet restoranti i Millan Radoiçiq në veri/04.04.2024/Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Ministrja Haxhiu publikon pamje nga vila e konfiskuar e Radoiçiqit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar pamje nga vila e konfiskuar në veri e kreut të grupit që e organizoi sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq.

Haxhiu ka postuar në Facebook, një video në të cilën shihet gjatë ditës së sotme, e premte, 05.04.2024, bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla duke vizituar vilën e sekuestruar të Radoiçiqit.

“Dje (publikuam dokumentin e listës se aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara të terroristit Radoiçiq, sot nga afër dhe konkretisht pamë luksin në të cilin ka jetuar ky kriminel. Kjo është jeta e një terroristi që për vete bën jetë prej milioneri ndërkohë që mjet të funksionimit ka frikësimin dhe kërcënimin e komunitetit ku jeton në mënyrë që t’i shërbejnë atij”- ka shkruar ajo.

Sipas saj, Republika e Kosovës nuk trembet nga terrorizimi dhe është garantuese e jetës së qetë për të gjithë qytetarët.

“Kjo gjë ka ndërruar, qytetarët atje kanë filluar të çlirohen nga ky terrorist dhe grupi i tij që kanë punuar vetëm për veten në shërbim të regjimit në Beograd. Republika e Kosovës nuk trembet nga terrorizimi dhe është garantuese e jetës së qetë për të gjithë qytetarët pa dallim. Jemi shoqëri demokratike dhe me vlera të qarta perëndimore ku terrori, frikësimi, shantazhi dhe ilegaliteti nuk kanë vend”- ka shkruar në Facebook, ministrja Haxhiu.

Një ditë më parë, më 04.04.2024, nga autoritetet kosovare i janë sekuestruar kreut të grupit që e organizoi sulmin në Banjskë: një vilë, një banesë, një restorant, dhjetra makina e pasuri të tjera.

Më 24 shtator të 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa, ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq e pranoi se ai ishet kreu i grupit që kreu sulmin ndaj policisë së Kosovës.