Historia e rastit "Gylenistët", i cili përfundoi me dënim me burg të ish-shefit të AKI-së nga Gjykata e Prishtinës

Rasti gjyqësor i njohur në publik si “Gylenistët” ka përfunduar në instancën e parë.

Për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor Driton Gashin, ish-shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Gashi u dënua me 4 vjet e 8 muaj burgim dhe 4 vjet ndalim ushtrimi të funksionit në administratën publike pas mbajtjes së dënimit.

Aktgjykimi është shpallur nga Violeta Namani – kryetare e trupit gjykues, dhe Musa Konxheli dhe Suzana Qerkini – anëtarë.

Kurse Rrahman Sylejmani dhe Valon Krasniqi u liruan nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për privim të kundërligjshëm nga liria.

Rasti për të cilin Gjykata shpalli aktgjykimin ka ndodhur në fund të marsit të vitit 2018.

Çka kishin deklaruar familjarët e shtetasve të arrestuar atëkohë?

Familjarët e shtetasve turq ishin deklaruar lidhur me arrestimet dhe deportimet e familjarëve të tyre.

Familjarët që vazhdojnë të jenë në Kosovë kanë frikë se një ditë edhe ata do të kërkohen nga Turqia.

Sanije Özkan, e cila pas arrestimit të burrit të saj jeton vetëm me vajzën, atë kohë kishte një kërkesë për Qeverinë e Kosovës.

“Ditën e dytë pas ngjarjes që ka ndodhur kam kërkuar diçka nga Qeveria e Kosovës. Kam kërkuar që tani e tutje, as për mua e as për të gjithë kolegët që jemi këtu në Kosovë, të mos përsëritet ky rast dhe të na ofrojnë sigurinë jetësore këtu në Kosovë”- kishte thënë Sanije Özkan.

Jasemine Karabina, gruaja e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të shkollës “Mehmet Akif”, Yusuf Karabina, kishte thënë se burri i saj dhe të arrestuarit e tjerë janë keqtrajtuar gjatë arrestimit.

Ajo beson se burri i saj është i pafajshëm dhe shpreson se do të kthehet sërish në Kosovë.

Jam e sigurt që do të lirohet, sepse drejtësia do të vijë dhe ai prapë do të kthehet në Kosovë, të takohet me shokët e tij këtu, që të pinë çaj së bashku”- kishte thënë Jasemine Karabina.

Kurse, gruaja e Cihan Özkan, Sanije Özkan, kishte thënë se nuk e kishin pritur që mund t’u ndodhte një ngjarje të tillë.

“Ende nuk mund të besoj. Nuk e di se si na ka ndodhur neve kjo. Mua dhe familjes time. Nuk kemi pritur kurrë të na ndodhë diçka e tillë dhe ende s’po mund të besoj që ne jemi duke përjetuar këto ditë të vështira. Duhet të kemi vetëm durim”- ishte shprehur Sanije Özkan.

Detaje më të hollësishme lidhur me deklarimet e familjarëve mund t’i ndiqni duke klikuar në këtë link- LINK

Si rrodhi e tërë ngjarja për deportimin e shtetasve turq?

Ishte viti 2018 kur Republika e Kosovës u gjend para një sfide të drejtësisë nga veprimet e disa institucioneve që si fushë-veprimtari kanë sigurinë e Kosovës.

Bëhet fjalë për mëngjesin e 29 marsit të vitit 2018, kur nga ana e Policisë së Kosovës u ndërmor një aksion policor që si cak kishte arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga territori i Kosovës.

Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina janë emrat e personave që ishin cak i institucioneve të vendit tonë.

Të njëjtit në mënyrë krejtësisht misterioze u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi ani pse pesë nga gjashtë të deportuarit kishin leje qëndrimi të ligjshëm dhe të drejtë punë në Kosovë. Osman Karakoya në kohën e deportimit kishte bërë kërkesë për leje qëndrimi në Kosovë.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u deportua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir.

Lidhur me këtë Sevda Günakan kishte thënë se nuk e ka parë babanë e saj që nga koha kur është arrestuar dhe deportuar nga Kosova për në Turqi në fund të muajit mars.

“Ka qenë një skandal që janë deportuar ata atje, mirëpo ka qenë edhe një skandal i dytë më i madh kur babai im është marrë gabimisht për shkak të ngjashmërisë së emrit. Kemi dëgjuar se menjëherë pasi e kanë arrestuar e kanë kuptuar që është person tjetër. Mirëpo, kur këta i kanë pyetur autoritetet e Turqisë, ata kanë thënë se nuk ka lidhje, sepse edhe ky ka qenë punëtor i kësaj shkolle”- kishte thënë Sevda Gunakan.

Arrestimi dhe deportimi i tyre ishte bërë pas insistimit të vazhdueshëm nga autoritetet turke drejtuar institucioneve të vendit tonë.

Gashtë shtetasit turq akuzoheshin për lidhje me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Turqia e konsideron rrjetin e Gylenit si një organizatë terroriste dhe kishte kërkuar në mënyrë aktive arrestimin e anëtarëve të saj brenda dhe jashtë Turqisë.

Ky operacion shkaktoi një reagim të gjerë në Kosovë dhe hasi në një kundërshtim të fuqishëm.

Operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Madje atë kohë në komision parlamentar hetimor ishte ftuar që të përgjigjej në pyetjet e deputetëve presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Debati pati eskaluar deri në atë masë sa deputetët dhe presidenti i dhanë cilësime të ndryshme njëri-tjetrit: ‘mercenar’,  ‘zvarranik’, “i poshtër’.

Aktakuza ‘voluminoze’ e Prokurorisë Speciale, e cila konstatoi se ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj nuk ishin të informuar në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq nuk përmban brenda vetes asnjë arsyetim se si është arritur deri te ky përfundim.

Asnjë dëshmitar dhe asnjëri nga të akuzuarit të paktën siç është përshkruar në aktakuzë nuk e ka potencuar se ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës nuk kishin qenë në dijeni për deportimin e turqve.

Historiku i procesit gjyqësor

Për këtë rast u aktivizua Prokuroria Speciale, e cila zhvilloi hetimet e nevojshme, deri në ngritjen e aktakuzës.

Në shkurt të vitit 2021 ngrihet aktakuza kundër ish-shefit të AKI-së, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit të Shtetësisë dhe Azilit, Valon Krasniqi, dhe drejtorit të Migracionit, Rrahman Sylejmani.

Që të tre, sipas Prokurorisë Speciale, akuzohen se në cilësinë e zyrtarëve shtetërorë kanë keqpërdorur pozitën edhe autoritetin zyrtar gjatë këtyre veprimeve. Kurse Sylejmanin Prokuroria e ngarkon edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria.

Seanca e parë pas ngritjes së aktakuzës u mbajt më 24 mars të vitit 2021. Në seancën fillestare që të tre të akuzuarit nuk kishin pranuar fajësinë për pretendimet e Prokurorisë.

Një numër i konsideruar i seancave gjyqësore e shumë dëshmitarë ishin dëgjuar për këtë rast e madje nga ana e Prokurorisë Speciale ishin shfaqur në gjykatore video-incizimet nga momenti i deportimit.

Në anën tjetër mbrojtësi i familjarëve të të deportuarve kishte paraqitur si provë fjalimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan lidhur me 6 personat e deportuar nga Kosova.

“Shikoni nga Kosova, për 6 persona çka bënë, Agjencia Kombëtare e Inteligjencës biseduan me ta, i paketuan, i morën, i sollën në Turqi,  ngjarja është kjo” – dëgjohej duke thënë Erdogan në atë video, e cila është cituar më pas në gjuhën shqipe nga përkthyesi.

Sipas aktakuzës, mëngjesin e 29 marsit 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës, u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhjen e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar edhe nga një grup punues i OKB-së, të cilët deportimin e shtetasve turq e kishin konsideruar operacion me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.