Ish-shefi i AKI-së i akuzuar në rastin ‘Gylenistët’ deklarohet rreth fajësisë në Gjykatë - FOTO

Në seancën e parë ndaj tyre, të akuzuarit, Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani janë deklaruar para gjykatës rreth fajësisë.

Pas leximit të akuzës nga ana e prokurores Habibe Salihi, u pyetën nga ana e kryetares së trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani, se a ndihen fajtorë për veprat që i rëndojnë me akuzë.

Të tre janë deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë.

Driton Gashi, ish-shefi i AKI deklaron “i pa fajshëm” dhe Valon Krasniqi “totalisht i pafajshëm”, gjithashtu Rrahman Sylejmani deklaroi se ndihet “absolutisht i pafajshëm”.

Palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë me afat kohorë 30 ditorë.

Gjykatësja, Violeta Namani seancën e radhës e cakton me datë 26 prill.

Akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u deportua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Driton Gashi dhe Valon Krasniqi dhe i pandehuri Rrahman Sylejmani dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhje e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Për këtë operacioni AKI sipas ekspertit amerikan, kishte ‘pushtuar’ zyrat e Policisë së Kosovës, e cila po ashtu përbënte shkelje, sepse sipas legjislacionit në Kosovë, AKI nuk ka kompetenca të organizojë operacione.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë(AKI), në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin ‘rrezik për sigurinë kombëtare’.

Madje për këtë rast ishte raportuar  edhe nga një grup punues i OKB-së të cilët depërtimin e shtetasve turq e kishin konsideruar me shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Kosova ‘përballë drejtësisë’ për deportimin e gjashtë shtetasve turq