Kilaj deklarohet për akuzat e Speciales për ndikim të dëshmitarëve
I akuzuari Isni Kilaj në seancën e shqyrtimit fillestar për dy pika të aktakuzës është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
“Jam plotësisht i pafajshëm”- tha Kilaj pasi ju lexua aktakuza nga prokuroria.
Kilaj akuzohet për tentim të pengimit të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mos bindje të urdhrave të gjykatës.
Mbrojtësi i Kilajt, Ian Eduards kërkoi që t`i hiqet paraburgimi Kilajt dhe të njëjtit t`i caktohet masa e dorëzanisë apo paraqitja në stacion policor.
Këtë kërkesë të mbrojtësit të Kilajt e kanë kundërshtuar prokurorët e Prokurorisë së Specializuar.
Por kjo, kërkesë e mbrojtësit të Kilajt nuk e bindi gjykatën që t`i caktoj masë tjetër përpos masës së paraburgimit prej 2 muajsh.
Sipas gjyqtares Marjorie Masselot ekzistojnë ende kushtet për caktimin e paraburgimit, si arratisja e Kilajt, kryerja e veprës penale dhe pengimi i procedurës gjyqësore.
Kështu Kilajt gjyqtarja e rastit i caktoi masën e paraburgimit prej 2 muajsh.
Edhe i akuzuari për mos bindje të urdhrave të Gjykatës, Hajredin Kuçi në sesionin e paradites kur u mbajt seanca ndaj tij ishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë lidhur me dy pikat e aktakuzës që zyra e Prokurorisë së Specializuar i vë në barrë.
“Jam plotësisht i pafajshëm”- ishte deklarimi i Kuçit në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 09.12.2024 në Gjykatën Speciale në Hagë.
Kuçi tutje në sesionin e paradites shtoi se ky moment është njëri nga momentet e tij më të errëta si person i drejtësisë e si profesor i kësaj lëmie prej mbi 30 vitesh.
“Sot është një prej momenteve më të errëta për mua si person i drejtësisë, si profesor i drejtësisë përmbi 30 vite, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i drejtësisë për dy mandate”- kishte thënë Kuçi.
I akuzuari, Kuçi kishte thënë se aktakuzën ndaj tij e sheh si prekje të dinjitetit profesional por edhe të reputacionit.
“Këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim, njerëzor, profesional por edhe të reputacionit”- kishte shtuar tutje ai.
Kuçi gjatë deklarimit të tij shprehu keqardhje për familjarët e tij, kolegët dhe studentët e tij, për shqetësimet që ngritja e kësaj aktakuze iu ka shkaktuar atyre.
“Më vjen keq për shqetësimin që kjo akuzë ju ka bo familjarëve të mi, kolegëve dhe sutentëve të mi, ju them atyre dhe sot unë jam i njëjti edhe para datës 6 dhjetor 2024 nuk do ta zhgënjejë askënd, unë nuk kam bërë asnjë vepër penale, unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuza”- kishte thënë Kuçi.
Para se të përfundonte seanca Prokuroria e Specializuar ngriti një çështje për të cilën tha se do ta dorëzoj edhe në formë të shkruar tek gjykata, duke kërkuar vendim nga gjykata që t`i ndalojë kontaktin Kuçit me të bashkakuzuarit e tjerë që janë të përfshirë në këtë akuzë.
Kujtojmë që Kuçi ka marrë pjesë në ekipin mbrojtës të ish-presidentit të vendit Hashim Thaçi, i njëjti së bashku me Sylejman Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin akuzohen për krime lufte të kryera në Kosovë.
Aktakuza ndaj Hajredin Kuçit është ngritur për dy pika që kanë të bëjnë me mos bindje të urdhrave të Gjykatës. Kjo vepër penale klasifikohet në kapitullin e veprave penale që kanë të bëjnë me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Së bashku me Kuçin, të akuzuar në këtë rast janë edhe, Hashim Thaçi, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu.
Thaçi në seancën e cila ishte mbajtur më 08.12.2024 nuk kishte pranuar të deklarohet kurse Fadil Fazliu nuk e kishte pranuar fajësinë.
Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?
Informacione konfidenciale të grisura e të hedhura në mbeturina, informacione konfidenciale të mbajtura në vetura po pretendohen se janë gjetur dhe janë dëshmi e prova nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Thaçin, Hysni Kilajn, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun e Hajredin Kuçin në aktakuzën e re të ngritur më 2 dhjetor 2024.
Të gjitha këto informacione që ishin shkruar në letrat që ZPS thotë se i kishte gjetur gjatë bastisjeve në vendbanimin e Hysni Kilajt e veturën e Bashkim Smakajt, ndërsa ato ishin dhënë nga Hashim Thaçi gjatë vizitave që i ishin bërë të njëjtit në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, ish- Shefit të AKI-së në Kosovë, Bashkim Smakajn, Isni Kilajt, Fadil Fazliut si dhe Hajredin Kuçit për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike si dhe vepra kundër rendit publik.
Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara përfshirë këtu hetimet e zyrës së prokurorit të specializuar.
Udhëzimet që pretendohet në aktakuzë se janë dhënë kohë pas kohe nga Thaçi gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit në Hagë janë bërë shkas që të ngritet aktakuzë për Smakajn, Kilaj, Fazliun, Kuçin.
Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
ZPS ka vlerësuar se veprimet e të akuzuarve synonin pengimin e çështjes Thaçi dhe të tjerët. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë
“Udhëzimet” e Thaçit për të ndikuar në dëshmitarë
Zyra e Prokurorit të Specializuar në aktakuzë ka përmendur disa takime në të cilat pretendojnë se janë dhënë udhëzime nga ish- presidenti Hashim Thaçi ndaj Kilajt, Fazliut, Kuçi e Smakajn.
Më 2 korrik 2023, ZPS thotë se Fadil Fazliu, vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit të DHSK-së.
Gjatë vizitës, Thaçi pretendohet se i dha informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët dhe udhëzime të hollësishme që Fadil Fazliu duhej t’ia përcillte dëshmitarit të ZPS-së, se si duhej të dëshmonte dëshmitari 1.
Dosja tregon tutje edhe se Thaçi dhe Fazliu diskutuan edhe për mënyrën e dhënies së udhëzimeve të Thaçit dhe ranë në marrëveshje që djali i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, të kontaktonte dëshmitarin 1 për caktimin e një takimi. Fadil dhe Fahri Fazliu ishin takuar më parë me dëshmitarin 1 më 2 qershor 2023, pasi kishin shkëmbyer mesazhe në telefon më 26 qershor
Më 3 korrik 2023 dosja tregon se, Fahri Fazliu shkëmbeu mesazhe me dëshmitarin 1 për organizimin e një takimi midis Fahri, Fadil Fazliut dhe dëshmitarit 1 më vonë atë ditë, në përputhje me udhëzimet e Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut.
Sipas aktakuzës, në kohën e kryerjes së kësaj vizite në qendrën e paraburgimit dhe të shkëmbimit të mesazheve, dëshmitari 1 nuk ishte konfirmuar publikisht nga DHSK-ja apo ZPS-ja si dëshmitar në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Intervistat e dëshmitarit 1 me ZPS-në ishin klasifikuar si konfidenciale dhe DHSK-ja ose ZPS-ja i ishin referuar atij publikisht, ose në një mënyrë që nuk zbulonte statusin e tij si dëshmitar i ZPS-së, ose me kodin e tij të dëshmitarit në proces.
Tutje dosja përshkruan edhe takimin mes Hashim Thaçit dhe Hajredin Kuçit.
Aktakuza shkruan se më 3 shtator 2023, Hajredin Kuçi vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Gjatë vizitës Hashim Thaçi i dha Hajredin Kuçit, udhëzime të hollësishme për t’ia përcjellë dëshmitarit të ZPS-së, ‘dëshmitari 5’, ose ‘dëshmitari 2’ ose ‘dëshmitari 6’) lidhur me si duhej të dëshmonte çdo dëshmitar.
Aktakuza përshkruan se Kuçi në mënyrë të përsëritur konfirmoi dhe/ose u pajtua me udhëzimet e Thaçit lidhur me ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe dha sugjerime në lidhje me udhëzimet që duhej t’u jepeshin dëshmitarit 5 dhe dëshmitarit 6. Hajredin Kuçi sipas ZPS gjithashtu konfirmoi se kishte takuar më parë dëshmitarin 5 të paktën një herë për të diskutuar dëshminë e dëshmitarit 5.
Një tjetër takim është edhe ai më 9 shtator 2023, kur Bashkim Smakaj, Blerim Shala, Artan Behrami dhe të tjerë vizituan Thaçin në qendrën e paraburgimit.
Gjatë vizitës, gjithnjë sipas aktakuzës, Thaçi dha informacion konfidencial për dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët dhe udhëzoi në mënyrë të përsëritur një ose më shumë prej vizitorëve që t’i jepnin udhëzime dëshmitarit 2 se si të dëshmonte në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Thaçi sipas ZPS-së, e cilësoi dëshminë e dëshmitarit 2 si vendimtare dhe dha udhëzime të hollësishme se çfarë duhej të thoshte dëshmitari 2 gjatë dëshmisë së tij.
Tutje dosja përshkruan se Thaçi u kërkoi vizitorëve që të vinin ta takonin sërish pas një muaji në qendrën e paraburgimit.
Tutje ZPS në aktakuzë thotë se Bashkim Smakaj dhe Artan Behrami u takuan sërish me Thaçin, më 7 tetor 2023, ku Thaçi dha udhëzime të mëtejshme se si duhej të dëshmonte dëshmitari.
ZPS thotë se gjatë kontrollimit të makinës së Smakaj më 30 tetor 2023, ZPS-ja gjeti një dokument ku trajtohej tema e dëshmisë që pritej të jepte dëshmitari 2, me një version të ngjarjeve që përputhej me udhëzimet e dhëna nga Thaçi gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit më 9 shtator dhe 7 tetor 2023.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se gjatë të gjithë këtyre ngjarjeve, dëshmitari 2 nuk ishte konfirmuar publikisht nga DHSK-ja apo ZPS-ja si dëshmitar në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Intervistat e tij me ZPS-në ishin klasifikuar si konfidenciale dhe DHSK-ja ose ZPS-ja i ishin referuar atij publikisht, ose me statusin e dëshmitarit apo kodin e tij të dëshmitarit në proces.
Në dosje përshkruhen edhe takimet e Thaçit me Kilajn.
Sipas ZPS-së, më 6 tetor 2023, Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu vizituan Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Ky takim ishte planifikuar një muaj më herët, në një thirrje telefonike në qendrën e paraburgimit midis Thaçit e Kilajt.
Sipas dosjes së aktakuzës së publikuar nga ZPS, gjatë vizitës, Thaçi u dha Kilajt e Kryeziut informacion konfidencial për dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Sipas ZPS, Thaçi dha udhëzime që duhej t’i përcilleshin dëshmitarit 4 se si duhej të dëshmonte.
Gjatë dhënies së udhëzimeve, sipas ZPS Thaçi dha referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të mëparshme të dëshmitarit
Tutje thuhet se Thaçi me Kilajn e Kryeziun diskutoi provat konfidenciale të dëshmitarit të ZPS-së i identifikuar si dëshmitari 3.
Gjatë një kontrollit të vendbanimit të Isni Kilajt më 2 nëntor 2023, sipas aktakuzës, ZPS-ja gjeti materiale që përmbanin informacion konfidencial për proceset e DHSK-së dhe të dhëna identifikuese të dëshmitarëve të mbrojtur, përfshirë edhe emrat e dëshmitarëve.
Aktakuza përshkruan se ZPS-ja gjeti mes mbeturinave të Kilajt faqe të grisura të deklaratave të mëparshme të dëshmitarit 4, ndër të cilat edhe një pjesë së cilës Thaçi iu referua gjatë vizitës së 6 tetorit 2023.
Tutje aktkauza pretendon se ZPS-ja gjeti gjithashtu edhe fletë fletoreje që përmbanin, ndër të tjera, përmbledhje të dëshmive të pritshme të dëshmitarëve aktualë dhe të mëparshëm të ZPS-së, bashkë me kodet e tyre të dëshmitarit. Shënimet e gjetura në vendbanimin e Kilajt përmbajnë informacion që përkon me informacionin në përmbledhjet konfidenciale që iu bënë të njohura Thaçi në kuadër të çështjes Thaçi dhe të tjerët.
(Shënim: Lajmi është edituar duke iu shtuar pjesa e deklarimit të avokatiti të Kilajt. Koha e editimit: 15:55 – 09.12.2024)