Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haziri: Nëse krijohet Asociacioni pa njohjen nga Serbia, i bie që Kosova po jep gjithçka

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lufti Haziri ka thënë se nëse Kosova e pranon Asociacionin pa njohje nga Serbia, Kosova do të dalë “e lënduar”.

Sipas Hazirit, nëse krijohet Asociacioni pa njohjen nga Serbia, atëherë i bie që Kosova po jep gjithçka, për kurrgjë.

“Në këtë mënyrë, Kosova ka me dalë ‘e lënduar’ prej procesit.  Sa për rikujtim, çështja e Asociacionit ka qenë pjesë edhe e bisedimeve në Vjenë dhe ne kemi arritur me pragmatizëm politik ta eliminojmë, ta heqim prej tavolinës”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas nënkryetarit të LDK-së takimi i nesërm më kuadër të dialogut do të jetë test për kryeministrin Albin Kurti dhe kauzat që i ka ndjekur ai si opozitar para se të vinte në pushtet.

“Pyetja se a po kalon ‘Zajednica’ tashmë është evidente në kuadër të planit franko-gjerman, duke e pasur kryeministër politikanin më jokonsistent në qëndrime që ka pasur Kosova. Do ta këtë nesër ditën për të dëshmuar se cili Kurti do të jetë në funksion – Kurti opozitar, kryeministër e kundërshtues apo Kurti pranues e ndarës de jure i një pjesë të Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas Hazirit “a do të mbetet Mister No apo jo, do të provohet për herë të parë nesër”.

Të hënën në kryeqytetin evropian palët pritet ta kenë për herë të parë para vetës një dokument, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”.

Dy liderët e dy shteteve, Albin Kurti dhe Alkesandar Vuçiq, pritet të nënshkruajnë një ujdi për pranimin e këtij dokumenti ndërkohë presioni nga ndërkombëtarët për arritjen e një marrëveshje sa vjen e shtohet.

Liderët e dy shteteve, para takimit trepalësh, do të zhvillojnë takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, duke filluar nga ora 15:00, të hënën.

Kurti merr letër nga Macron, Scholz dhe Meloni para takimit me Vuçiq