Albin Kurti

Kurti merr letër nga Macron, Scholz dhe Meloni para takimit me Vuçiq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin Evropian.

Në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.

Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit.

Një letër të tillë gjatë ditës së sotme sic raportoi RTS e ka pranuar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të hënën në kryeqytetin evropian palët pritet ta kenë për herë të parë para vetës një dokument, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”. Dy liderët e dy shteteve, Albin Kurti dhe Alkesandër Vuçiq, pritet të nënshkruajnë një ujdi për pranimin e këtij dokumenti ndërkohë presioni nga ndërkombëtarët për arritjen e një marrëveshje sa vjen e shtohet.

Liderët e dy shteteve, para takimit trepalësh, do të zhvillojnë takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke filluar nga ora 15:00, të hënën.

Kështu thuhet në agjendën e BE-së, ndërsa theksohet se në fund të takimit Borrell do të ketë një deklaratë për mediat.

Nga dita e hënë, kryeministri Kurti ka thënë se pret diskutime të mëtutjeshme mbi bazën e propozimit evropian por pa përjashtuar çështje tjera, për të cilat siç ka thënë ai “jo pak varet nga ndërmjetësit”.

Ndërsa, në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq tha se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel “sigurisht që do të flitet për formimin e Asociacionit” dhe, siç tha ai, “për këtë do të duhet të flasin edhe përfaqësuesit evropianë”.

Sa i përket temës kryesore të këtij takimi dhe mundësisë së diskutimit të Asociacionit, analisti i çështjeve politike Artan Muhaxhiri thotë se plani franko-gjerman mund të pranohet vetëm në tërësinë e tij – përfshirë edhe ndonjë format të Asociacionit, sepse, sipas tij, nuk është e lejueshme të përzgjidhen vetëm pjesët e këndshme dhe të përjashtohet të pakëndshmet.

​