Komuna e Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Haskuka: Zyrtari i Prokurimit u sulmua nga kuvendari i PDK-së

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është sulmuar zyrtari komunal nga Zyra e Prokurorit, Nezir Rexhepi.

Ai fajin për sulmin ia hedh kuvendarit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Getoar Besimit.

“Ky sulm është tentim për të ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe procedurat e Zyrës së Prokurimit, pasi që kompania e cila është në pronësi të familjarëve të Getoar Besimit është në konkurrencë për të përfituar projekte komunale, për të cilat tashmë janë hapur procedurat e prokurimit”, ka njoftuar Haskuka.

Ai tutje ka treguar se rasti i sulmit të zyrtarit komunal është paraqitur në Polici.

“Shpresoj që organet përgjegjëse do të marrin masa të shpejta ndaj këtij akti të dhunës”, ka njoftuar tutje Haskuka.

Në anën tjetër KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga vetë Getoar Besimi por i njëjti nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij raporti.