Haradinaj-Stublla: Orientimi ynë euroatlantik është i qartë

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka deklaruar se orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë.

Këtë deklaratë ajo e dha kur u pyet nëse presin reagim nga Bashkimi Evropian pas paralajmërimit për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, orientimi jonë euroatlantik është i pastër dhe i qartë dhe nuk kemi alternativë tjetër. Jemi të angazhuar në kapacitete të plota drejt këtij orientimi dhe kështu do të mbetet gjithmonë”, tha ajo në konferencë për media.

Bashkimi Evropian kishte kundërshtuar hapjen e ambasadave në Jerusalem. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti shtoi se Kosova ka nevojë për njohje, duke thënë se Kosova me Izraelin do të shkëmbejë vizita për çështjen e hapjes së ambasadës në Jerusalem.

Në formë virtuale sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Marrëdhënieve Diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.

(VIDEO) Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike