Ilustrim

Haradinaj: Sot është ditë e madhe në fushën energjetike dhe pavarësimin e plotë nga Serbia

Pasi Operatorët e Sistemeve të Transmisionit të Europës votuan pozitivisht marrëveshjen e kyçjes me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës (KOSTT), ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se sot është ditë e madhe në fushën energjetike dhe pavarësimin e plotë nga Serbia.

“Për dy vite, si Kryeministër i vendit kemi punuar ngushtë dhe kemi realizuar dhjetëra takime pune, larg publicitetit, me institucionet energjetike dhe partnerët strategjik, në veçanti ShBA-në dhe Gjermaninë, që të arrihet kjo ditë. Kosova ia doli”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka shtuar se me zyrtarizimin e marrëveshjes së re të kyçjes në mes KOSTT – ENTSO-E, nga Grupi Regjional i Europës Kontinentale, i mundësohet Kosovës pavarësia energjetike nga Serbia dhe operimi i pavarur si Zonë Rregulluese, brenda Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri.

“Dua të falënderoj përfaqësuesit e institucioneve tona, bashkëpunëtorët e mi në Kabinet, posaçërisht Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Bankën Gjermane për Zhvillim-KfW, USAID dhe gjithë akterët e tjerë që ishin pjesë e këtij rrugëtimi, që sot u shndërrua në storie të suksesit”, ka përfunduar Haradinaj.

Lajmin që sot ka përfunduar procesi i votimit për Marrëveshjen e Re të Kyçjes në mes KOSTT dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e ka dhënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Kanë kaluar 4 vjet që kur është finalizuar dhe testuar linja interkonektive 400 kilovoltëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, mirëpo ajo nuk po mund të shfrytëzohet për shkak të pengesave nga Serbia.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane. 16.5 milionë dollarë kanë qenë grant, ndërsa 17 milionë euro kanë qenë kredi komerciale afatgjate me kushte kredituese të buta që është dhënë përmes Bankës për Zhvillim (KfW). Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Shqipërisë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) tashmë e ka paguar gati gjysmën e kredisë, ndërkohë që nuk ka arritur të ketë asnjë të hyrë nga linja 400 kilovoltëshe.

Kjo kredi ishte e para për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Edhe pse është nënshkruar me 23 dhjetor 2009, kthimi i kredisë kishte nisur vetëm në vitin 2016 për shkak të grejs-periudhës që ishte dhënë.

“Kthimi i kredisë ka filluar në vitin 2016, ndërsa shuma e paguar deri me datë 31.12.2019 është 8 milionë euro. Pagesa e kredisë përfundon në qershor të vitit 2024”, thuhet në përgjigjet e KOSTT për KALLXO.com.

Autostrada Energjetike është bllokuar për shkak se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji të nënshkruar në Bruksel me Kosovën në vitin 2013. Përkundër disa vendimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe thirrjeve të BE-së, Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji duke i shkaktuar humbje milionëshe Kosovës në këtë sektor.

Më herët edhe Ambasada gjermane e ka uruar Kosovën për një marrëveshje të tillë, duke e quajtur moment historik.