Ilustrim

Ambasada gjermane: Votimi i marrëveshjes për kyçje në ENTSO-E është moment historik për Kosovën

Ambasada gjermane në Kosovë e ka uruar KOSTT-in dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për rezultatin pozitiv të procesit të votimit brenda Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E) në lidhje me marrëveshjen e re të kyçjes që do të nënshkruhet me KOSTT-in.

“Marrëveshja e kyçjes më në fund mundëson krijimin e një zone të pavarur të kontrollit për Kosovën – ky është një moment historik për Kosovën dhe për bashkëpunimin në rajon”, thuhet në postimin e Ambasadës gjermane.

Ambasada më tej ka shkruar se ky është rezultati i një rruge të gjatë në të cilën Gjermania qëndronte përgjithmonë në krah të qeverive dhe institucioneve kosovare.

Ata janë shprehur të bindur se marrëveshja e kyçjes me ENTSO-E është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik në rajon.

“Qytetarët kosovarë të të gjitha komuniteteve do të përfitojnë në fund”, ka thënë Ambasada gjermane.

Ata kanë shkruar se përveç stabilizimit të mëtutjeshëm të rrjetit energjetik evropian, rezultat i këtij vendimi do të jetë edhe funksionalizimi i linjës 400 kV-fuqi midis Kosovës dhe Shqipërisë.

“Qeveria gjermane dhe organizata e saj zbatuese KfW kanë investuar afër 100 milionë euro në shtrirjen dhe modernizimin e rrjetit kosovar të transmetimit të energjisë. Ne jemi të lumtur që kemi partnerë të tillë të aftë dhe të përkushtuar në KOSTT”, përfundon postimi i Ambasadës.

Lajmin për sot ka përfunduar procesi i votimit për Marrëveshjen e Re të Kyçjes në mes KOSTT dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e ka dhënë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Kanë kaluar 4 vjet që kur është finalizuar dhe testuar linja interkonektive 400 kilovoltëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, mirëpo ajo nuk po mund të shfrytëzohet për shkak të pengesave nga Serbia.

Projekti i ndërtimit të autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri kishte kushtuar 33.5 milionë euro vetëm në pjesën e Kosovës dhe financimi i saj ishte bërë nga Qeveria Gjermane. 16.5 milionë dollarë kanë qenë grant, ndërsa 17 milionë euro kanë qenë kredi komerciale afatgjate me kushte kredituese të buta që është dhënë përmes Bankës për Zhvillim (KfW). Ngjashëm, Qeveria Gjermane nëpërmjet KfW-së gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Shqipërisë.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) tashmë e ka paguar gati gjysmën e kredisë, ndërkohë që nuk ka arritur të ketë asnjë të hyrë nga linja 400 kilovoltëshe.

Kjo kredi ishte e para për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Edhe pse është nënshkruar me 23 dhjetor 2009, kthimi i kredisë kishte nisur vetëm në vitin 2016 për shkak të grejs-peridhës që ishte dhënë.

“Kthimi i kredisë ka filluar në vitin 2016, ndërsa shuma e paguar deri me datë 31.12.2019 është 8 milionë euro. Pagesa e kredisë përfundon në qershor të vitit 2024”, thuhet në përgjigjet e KOSTT për KALLXO.com.

Autostrada Energjetike është bllokuar për shkak se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji të nënshkruar në Bruksel me Kosovën në vitin 2013. Përkundër disa vendimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe thirrjeve të BE-së, Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji duke i shkaktuar humbje milionëshe Kosovës në këtë sektor.

Humbjet Milionëshe në Energjetikë