Haradinaj premton investime mbi 120 milionë euro për Mitrovicën

Mbi 120 milionë euro investime për qytetin e Mitrovicës i ka premtuar kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj gjatë debatit me qytetarë të mbajtur sot në Mitrovicë.

Ai veç tjerash ka folur edhe për temat si ruajtja e tërësisë territoriale dhe e sovranitetit të vendit, taksa 100%  ndaj produkteve serbe, Ligji për Ushtrinë, Ministrinë e Mbrojtjes, shërbimi në Ushtri, FSK dhe statutin e Trepçës.

Këto tema Haradinaj tha se janë meritë e Qeverisë së tij.

Haradinaj para mitrovicasve potencoi se çështja  e Trepçës është një punë e kryer dhe se tani duhet vetëm një plan biznesi për zhvillimin e saj.

“Mundem me ju konfirmu që Trepça është punë e kryer në atë se kush është Trepça dhe e kujt është. Tani na duhet vetëm një plan biznesi çka dhe qysh me bë biznes që me kriju fitim, qysh më u ngjall Trepça”, tha Ramush Haradinaj.

Duke kërkuar votën e mitrovicasve në zgjedhjet e 6 tetorit Haradinaj premtoi investime mbi 120 milionë euro për qytetin e Mitrovicës.

“20 vjet Mitrovica nuk ma ka dhënë mundësinë me qeverisë i lirë në Mitrovicë, ata që kanë dashur me ju pa të ndarë, me kanë mbajtur larg nga Mitrovica… Gjatë qeverisjes time mbi 120 milionë euro janë të destinuara për Mitrovicë”, theksoi Haradinaj.

Kryeministri në detyrë u përgjigj edhe në shumë pyetje të qytetarëve që kishin të bënin me zhvillimet e fundit politike, zhvillimin ekonomik, çështjen e arsimit të viteve ’90-ta, çështjen e Trepçës dhe shumë çështje të tjera me rëndësi për qytetarët e komunës së Mitrovicës.