Arkiv

Haradinaj: Për t’ia siguruar votat Qeverisë Hoti kam biseduar edhe me deputetë të pakicave

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk kishte biseduar vetëm me deputetin e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, për t’ia siguruar votat Qeverisë të cilës i prin Avdullah Hoti.

Gjatë një emisioni në televizionin Dukagjini, ai tha se kishte shkuar në shtëpinë e deputetit Shala dhe atje ishte takuar me presidentin, Hashim Thaçi.

“Orën s’e kam këqyrë, nashta ka qenë edhe më herët. Kemi zhvillu një bisedë, edhe unë edhe presidenti ka qenë prezent me z. Haxhi Shalën, që e njoh prej herët, një kohë kemi shërby bashkë në Prizren, unë komandant ai zëvendëskomandant, pastaj kemi vazhdu nëpër koalicione kur ishim. Ka qenë një nder i madh pritja e tij dhe mënyra se si e ka kthy përgjigjen, e falënderoj shumë, jam mirënjohës”, tha ai.

“Bashkë në të njëjtin vend kemi mbërri edhe, bashë kur takohen dy veta në një vend me një të tretë. Haxhiun e njoh gjatë, ne nuk e dishim si do të votonte Donika, ishte hezituese”, deklaroi kryetari i AAK-së i pyetur se si qëlluan në të njëjtën kohë rreth mesnatës te dyert e shtëpisë së Haxhi Shalës.

Haradinaj tha se nuk ka qenë e lehtë sigurimi i votave, ndërsa e quajti fat që Haxhi Shala ka votuar për Qeverinë e Avdullah Hotit.

“Kemi bisedu edhe me deputetë tjerë të pakicave për votë, ka qenë një situatë jo e lehtë. Ishte fat i madh që Haxhia votoi pro”, deklaroi ai.

Qeveria e Avdullah Hotit u votua më 3 qershor, ndërsa LDK bëri koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe Listën Serbe. Gjithashtu, këtë koalicion e votuan edhe pakicat tjera jo serbe në Kuvendin e Kosovës.

‘Vota e artë’, Haxhi Shala thotë se Thaçi dhe Haradinaj i shkuan së bashku në shtëpi pas mesnatës

www.kallxo.com