Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj kërkon që të shtyhen zgjedhjet në veri

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri nuk është i qëndrueshëm.

Ai ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri duhet të shtyhen.

“I bëj thirrje, Qeverisë, Presidencës, institucioneve të vendit ta marrin me seriozitet gjendjen në veri. Të marrin vendim për shtyrjen e zgjedhjeve”- ka thënë Haradinaj në Kuvend.

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, mosshqyrtimi i kësaj gjendje me seriozitet mund t’i thellojë pasojat për Kosovën në veri.

“Zgjedhjet e shpallura herën e parë nuk arritëm t’i mbajmë, procesi për të mbajtur zgjedhje tash në veri nuk është i qëndrueshëm. E dimë agjendën e Serbisë, të Listës Serbe, presionet që i ushtrojnë mbi qytetarët e vendit në veri. A e din Qeveria jonë rrugën deri të suksesi? Gjendja e sotme nuk na dërgon të suksesi. Mosshqyrtimi i kësaj gjendje me sukses dhe me seriozitet edhe me aleatët tonë mund t’i thellojë pasojat për Kosovën në veri”- ka thënë Haradinaj.

“Ma mirë me pranu një çerek humbje sot, sesa një humbje të plotë ditën e zgjedhjeve”- ka shtuar ai.

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri janë paraparë të mbahen më 23 prill të këtij viti.

Iniciativa qytetare Mitrovica në Mitrovicën e Veriut do të kandidojë me Betim Osmanin, ndërsa në komunat e tjera nuk ka kandidat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për Leposaviq ka kandidate Albulena Behluli-Hetemin, për Zubin Potok kandidat është Izmir Zeqiri, për Zveçan Ilir Peci ndërsa për Mitrovicë të Veriut Taulant Kelmendi.

Lëvizja Vetëvendosje në Leposaviq ka kandidat Lulzim Hetemin, për Zubin Potok ka kandidat Flatron Hasanin, për Zveçan Fetah Pecin dhe për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq.

Partia Serbët e Kosovës kandidat për kryetar të Leposaviqit ka Aleksandar Jabllanoviqin.

Ndërsa kandidate e pavarur për komunën e Zveçanit është Sllagjana Pantoviq, ka njoftuar KQZ.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.

Bojkoti nga Lista Serbe dhe legjitimiteti i zgjedhjeve në katër komunat në veri