Hapën vrimë në depo dhe vodhën mall me vlerë 100 mijë euro në Gjakovë, arrestohen të dyshuarit

Përmes hapjes së një vrime depërtuan në një depo në Gjakovë ku u arrit të vidhet mall në vlerë prej 100 mijë euro.

Këto janë dyshimet e para të Prokurorisë Themelore në Gjakovë për rastin e vjedhjes së rëndë që ndodhi dje në rrugën “Gaspër Karaqi”.

E për rastin në fjalë, Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar dy të dyshuar, D.T., 23-vjeçar dhe Q.L., 33-vjeçar.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me prokurorin Kastriot Memaj, i cili ka dhënë më shumë detaje për këtë vjedhje të rëndë.

Sipas prokurorit, dyshimet e para për këtë çështje penale vënë në pah se bëhet fjale për dy depo, ku të dyshuarit përmes hapjes se një vrime kanë depërtuar në depon e të dëmtuarit dhe kanë marrë një sasi të mallit.

Memaj ka thënë se janë 83 paketime të mallit, ku pas bastisjes së realizuar është gjetur një sasi e mallit dhe me urdhër të prokurorit i është kthyer të dëmtuarit.

“Lidhur me rastin janë duke u ndërmarr veprime hetimore, ndërsa prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit pranë gjykatës” – ka thënë Memaj për KALLXO.com.

Në njoftimin e PK-së është thënë se ngjarja kishte ndodhur dje rreth orës 10:55, kur pronari i depos kishte raportuar se persona të pa njohur për të, kishin depërtuar brenda objektit të biznesit të tij dhe kishin vjedhur mallra të ndryshme.

Sipas këtij njoftimi, nga të arrestuarit u morën veshmbathje, bizhuteri e gjësende të ndryshme shtëpiakë në vlerë rreth 100 mijë euro.

“Lidhur me rastin, në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, është kryer kontroll në një objekt biznesi po ashtu në rrugën “Gaspër Karaqi”, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa pako me mallra të ndryshëm të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundër ligjshme me rastin e kryerjes se veprës penale të raportuar” – ka thënë PK1.

Tutje është thënë se të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit të dyshuarit, pasi që janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës, me aktvendim, janë dërguar në mbajtje.