Halitjaha në Hagë për situatën gjatë luftës: Azem Syla ka munguar gjithë kohën, qëndronte në Shqipëri

Sadik Halitjaha, ish-zv/komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, përgjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts tha se Azem Syla në kohën sa ishte komandant i përgjithshëm, kishte munguar gjatë gjithë kohës në Kosovë pasi qëndronte në Shqipëri.

Dëshmitari Halitjaha deklaroi se në mungesë të Azem Sylës, këtë rol e luante Sokol Bashota, edhe pse sipas tij, këto role nuk ishin funksionale.

“Azem Syla ka munguar gjjithë kohën sepse ka qëndru në Shqipëri” – tha dëshmitari. “Këtë rol e ka luajt Sokol Bashota derisa ishte prezent, por si duket këto role që janë paraqitur këtu, nuk janë luajtur as 20 % ashtu si duhet, vetëm kanë qenë të menduara, të vendosura, të caktuara por funksionale nuk kanë qenë” – shtoi dëshmitati.

Ttuje, dëshmitari sqaroi se kjo ka qenë para se delegacioni nga Kosova së bashku me Hashim Thaçin dhe udhëheqësit e UÇK-së të kenë shkuar në Rambuje.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.