Halitjaha në Hagë: Nëse Jakup Krasniqi ka bërë faj, unë e mbaj burgun për të

Sadik Halitjaha, ish-zëvendëskomandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale, pas përfundimit të pyetjeve të avokatit të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, bëri një deklarim lidhur me të akuzuarin Jakup Krasniqi.

Dëshmitari Sadik Halitjaha tha se është i gatshëm që të mbajë burgun në vend të Jakup Krasniqit nëse ky i fundit ka ndonjë faj, duke kërkuar lirimin e tij.

“Zoti gjykatës një minutë, desha të them që mos ta ngarkojmë më shumë gjykatën me këto zvarritje të mëdha. Dua të flas për Jakup Krasniqin. Nëse Jakup Krasniqi ka bërë gabime, ka mundësi si çdo njeri, se engjëll askush nuk jemi, po nëse ai ka bërë faj unë krejt do t’i marr përsipër. Veç ndërrona deklaratat dhe vendimet, m’i jepni mua, unë e mbaj burgun e Jakup Krasniqit, le të shkon në shtëpi” – shtoi tutje dëshmitari Halitjaha.

Pas kësaj deklarate, dëshmitarin Halitjaha filloi marrë në pyetje mbrojtja e Krasniqit, avokatja Venkateswari Alagendra.

Dëshmitari Sadik Halitjaha do ta vazhdojë dëshminë më 4 dhjetor.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.