Richard Grenell

Grenell: Dialogu Kosovë-Serbi rifillon porsa të hiqen tarifa e reciprociteti, ndoshta këtë javë

Emisari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka paralajmëruar rifillimin e dialogut.

Grenell paralajmërimit të tij për rifillim të dialogut ia ka bashkangjitur edhe postimin e presidentit Thaçi për formimin e qeverisë së re.

“Porsa të hiqen tarifa dhe reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë dialogu nis me intensitet më të shtuar. Kam biseduar me liderët në Serbi dhe Kosovë, për ta bërë të qartë se duhet të fillojnë me ndërtimin e besimit sot në përgatitje të tij – dhe ata janë zotuar ta bëjnë këtë. Së shpejti do të ketë më shumë”, ka shkruar ai në Twitter.

Sot presidenti i vendit, Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’, ka paralajmëruar për ‘hapat e fundit kushtetues’, siç e ka quajtur ai, për formimin e Qeverisë së re gjatë javës së ardhshme.

Thaçi po ashtu ka shkruar se tarifat dhe reciprociteti duhet të hiqen për të forcuar mbështetjen e ShBA-së dhe të BE-së për Kosovën.“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar  COVID-19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e ShBA dhe BE për Kosovën”, ka shkruar Thaçi në ‘Twitter’.

Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur pas vënies së tarifës 100 për qind për produktete e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës nga qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018.

Qeveria Kurti në prill ka larguar tarifën si dhe ka vendosur reciprocitetin, e ky veprim është mbështetur nga BE-ja ndërsa është kundërshtuar nga SHBA-të të cilat kanë kërkuar heqjen e plotë të tarifës pa vendosur pengesa të tjera.