Foto: Pixaby
Gratë që ranë ndesh me ligjin nuk gjejnë ‘krah’ për risocializimin e tyre
Gratë të cilat dalin nga burgu pasi kanë kryer dënimin nuk gjejnë mbështetje te ndonjë organizatë e specializuar e cila do të mund t’iu ndihmonte atyre në risocializim dhe socializim.
Në Rrjetin e Grave të Kosovës nuk figuron asnjë organizatë e cila merret me risocializimin dhe socializimin e grave të cilat kanë rënë ndesh me ligjin. Edhe nga regjistri i organizatave joqeveritare në Ministrinë e Administratës Publike e shfaqin të njëjtën situatë.
Në Kosovë janë aktualisht 35 gra, prej tyre 20 janë të dënuara dhe 15 të paraburgosura për vepra të ndryshme penale. Ato pas daljes nga burgu nuk kanë një “strehë” e cila fillimisht do t’iu ndihmonte atyre që ta kenë më të lehtë kthimin në realitet.
Aktivistja e të drejtave të grave, Luljeta Aliu ka thënë se në Kosovë nuk ka thuajse fare organizata apo institucione që merren me risocializimin/riintegrimin e personave që kanë qenë të dënuar me burgim.
Ajo thotë se gratë që dalin nga burgu janë të stigmatizuara, pa marrë parasysh a kanë qenë kryese primare të dhunës apo vepra ka ndodhë si vetëmbrojtje.
“Është jashtëzakonisht e nevojshme të krijohen kapacitete të tilla. Sidomos gratë mbeten të patrajtuara në këtë drejtim, meqë nuk ka specializim të organizatave në fushën e riintegrimit apo risocializimit”- ka deklaruar Aliu.
Ndikimi i (mos)risocializimit tek gratë
Gratë të dala nga burgu e kanë jashtëzakonisht të vështirë të riintegrohen në shoqëri thotë sociologia Flaka Ymeri.
Sociologia thotë për KALLXO.com se mosmbështetja e këtyre grave rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre psiqike.
“Gratë të cilat janë përballur apo të themi që kanë rënë ndesh me ligjin kanë vështirësi jashtëzakonisht të riintegrohen në shoqëri për arsye të stigmatizimit, paragjykimit dhe shumë gjykimeve të cilat marrin nga rrethi dhe shoqëria, mungesa e vetëdijes së këto gra të cilat kanë vuajtur një pjesë të dënimit për disa vite, ato për vite të tëra mund të kenë qenë viktimë e po kësaj shoqërie por jo gjithherë për të gjitha duke krahasuar me ato të cilat mund të kenë rënë ndesh me ligjin me vetëdije të plotë” – ka thënë ajo.
“Të riintegrohesh në shoqërinë tonë nuk është aspak e lehtë e sidomos nëse je një grua e cila ka kaluar nëpër rrugën e të qenurit e dënuar e penalizuar nga ligji sepse është e vështirë ta fitosh besimin e atyre që të ofrojnë punë dhe të jesh e pavarur së pari në aspektin ekonomik, pastaj edhe të mund të bëj një jetë produktive dhe të barabartë si të gjithë të tjerët” – shton Ymeri.
Sociologia Flaka Ymeri shtron nevojën e mungesës së një organizate të specializuar e cila do t’i mundësonte grave të cilat kanë rënë ndesh me ligjin që të pranohen në shoqëri.
“Nëse shohim në numër kemi mjaft organizata të cilat ofrojnë mbrojtje apo ngrisin zërin sidomos në aspektin diskriminues në shoqëri që mund t`i bëhet gruas por më saktë nëse flasim sa organizata mbështesin këto gra dhe mund të ofrojnë për secilin ndihmë dhe t`i dhënë mundësinë që ato ta gjejnë veten ende nuk jemi në nivelin e kënaqshëm në këtë drejtim për këto gra”- ka thënë ajo.
“Në aspektin psiko-social emocional mos mbështetja qoftë familjare, shoqërore rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre emocionale, ulë vetëbesimin dhe krijon mos stabilitet emocional që mund të çojë edhe në dështimin më të madh në jetën e këtyre grave edhe pas lirimit”- ka shtuar Ymeri.
Ndërkaq, sipas psikologut Enver Çesko, dukuria e pranimit të personave që dalin nga një dënim siç është burgu, është fenomeni i pranimit dhe afrimit në mesin social.
“Prandaj, parakushtet kryesore që ish i/e burgosuri/a, e tani “i/e përmirësuara”, janë: – Nevoja për një kohë të duhur që të dëshmohet në ndryshime, ndryshimi i sjelljeve, veprimeve dhe koncepteve për ndryshim, pas mësimeve dhe përvojës gjatë qëndrimit në burg, tentim për të investuar në aktivitete të reja apo të ndryshme nga e mëparshmja. Familja, të afërmit, komuniteti dhe e tërë shoqëria të zhvillojnë konceptin holistik e të qenurit i/e burgosur. – Sensibilizimi i fenomenit “stigmatizim” duke filluar nga personi, familja, komuniteti, shoqëria dhe e tërë njerëzimi”- ka thënë Çesko.
Ai shton se nëse e burgosura vazhdimisht është e injoruar, njollosur dhe e stigmatizuar, ajo edhe më shumë tërhiqet në vete duke ndier frikë, mungesë vetëbesimi dhe pasigurie, gjendja e saj vazhdon të kalon edhe në një gjendje depresive.
“Por në anën tjetër, edhe shoqëria nga e burgosura vazhdon të ndjen frikë dhe pasiguri, për arsye të kujtimeve nga veprimet e saja që kanë detyruar të jetë e burgosur”- ka thënë ai.
Sipas psikologut, nëse gruaja tashmë si e ish-e burgosur nuk ka mbështetje nga shoqëria, mund të bie në gjendje të rëndë psikologjike.
Për fat të keq thotë Çesko shumë pak gra të sapo dalura nga burgu kërkojnë ndihmë psikologjike.
Sipas tij, nevojitet një mekanizëm profesional e përkrahur nga institucionet shtetërore.
“Kjo nuk është arsye vetëm e grave, por edhe nga ana e vet komunitetit të psikologëve që shumë pak bëjnë sensibilizim për një ndihmë këshilluese për gratë e posa të liruara nga burgu”- ka thënë ai.
Ai thekson se institucionet në bashkëpunim me shoqatat relevante sociale, siç janë ato të psikologëve, sociologëve, punëtorëve shëndetësor të shëndetit mental, punëtorë social dhe psikoterapeutë, duhet që të hartojnë plane zhvillimore për sensibilizim të personave të dalur nga burgu për risocializim dhe rikthim në komunitet shoqëror duke u nisur nga familja, shoqëria dhe komuniteti i gjerë.
Derisa nuk ka një lëvizje të tillë sa më emergjente, ai shton se shoqëria ka me mbet në margjinat e dominimit patriarkal ku dhuna, sjellje devijante dhe koncepte tradicionale do të mbisundojnë në humanizimin e gjinive në shoqëri.
“Shoqëria njerëzore duhet të dijë se gruaja është shtylla e familjes”- thekson ai.
‘Dora’ e shtetit në risocializimin e grave që vuajtën dënimin me burg
Në anën tjetër, risocializimi dhe socializmi i grave që kane rënë ndesh me ligjin në shoqëri, hulumtuesja ligjore në BIRN, Blerta Iberdemaj e ka konsideruar jashtëzakonisht të vështirë.
Iberdemaj ka thënë se në institucionet korrektuese përpos programeve trajnuese që mbajnë për gratë e dënuara të cilat i ndjekin këto trajnime gjatë vuajtjes së dënimit, pas daljes nga burgu nuk ka vazhdimësi të realizimit të programeve në aspektin e përkrahjes për të vënë në praktikë njohuritë dhe shkathtësisë e fituara gjatë ndjekjes së programit.
Ajo ka thënë se një grua e sapo dalur nga burgu e ka shumë të vështirë riintegrimin në shoqëri pasi që e njëjta qysh në fillim përballet me “gjyqin moral” të qytetarëve.
“Institucionet tona përpos përkrahjes morale që mund të kenë dhënë gjatë deklaratave publike, sa i përket përkrahjes reale me veprime konkrete në praktikë, kanë çaluar dukshëm. Vet fakti se një problematikë e tillë është çështje e pa trajtuar mjaftueshëm në shoqërinë tonë tregon për mungesën e theksuar të përkrahjes në praktikë”- ka thënë ajo.
Sipas saj, risocializimi i grave të dënuara në shoqëri është një çështje që prek në thelb familjen si dhe shoqërinë në tërësi, dhe krahas saj konsideron që trajtimi i kësaj çështjeje do të duhet të kishte një mobilizim dhe përfshirje më të gjerë.
Siç thotë Iberdemaj, dështimi i institucioneve në përkrahje institucionale, sa i përket risocializimit të grave në shoqëri, si pasojë mund të ketë shtimin e veprave penale si dhe shtimin e dukurisë së recidivizmit, apo ripërsëritjen e veprës penale.
“Duke pasur parasysh çështjen e ndjeshme, institucionet tona do të duhej të kishin programe të ndërlidhura mirë së bashku që do t’i kontribuonin mirë risocializimit të grave në shoqëri pas vuajtjes së dënimit. Ndjekja e programeve trajnuese dhe fitimi i shkathtësive për punë pa përkrahje të mëtejme për angazhim në punë konkrete konsideroj që është dështim i institucioneve tona për përkrahje institucionale sa i përket risocializimit të grave në shoqëri, për çka si pasojë do të ketë shtimin e veprave penale si dhe shtimin e dukurisë së recidivizmit” -thotë ajo.
Sipas saj, gjendja është alarmante në këtë aspekt për faktin se programet të cilat i ofron shteti me qëllim të kontributit për risocializim e përfshirje të grave në shoqëri është shumë i vogël dhe pa kontinuitet.
“Prej hulumtimeve nga terreni vërehet që në shoqërinë tonë bërja e “gjyqit moral/publik”, është shumë e rëndë dhe diskriminuese ndaj grave që në të kaluarën kanë rënë ndesh me ligjin. Është shumë dekurajues fakti i mungesës së programeve të planifikuara mirë, të sigurta e me kontiunitet për gratë por edhe në përgjithësi për të dënuarit që e kanë përfunduar vuajtjen e dënimit dhe të cilët dëshirojnë që të ri integrohen në shoqëri”- ka thënë Iberdemaj.
Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se të dënuarat dhe të paraburgosurat angazhohen në punë, si: kuzhinë, rrobaqepësi, floktari, furrtari, lavantari, pastrim dhe kopshte ato marrin pjesë edhe në shkollim.
Sipas tyre, nga Ministrja e Drejtësisë janë ndihmuar me shkollimin e të dënuarave me trajnim 1 vjeçar në filigran, ku këtë trajnim kanë përfunduar 5 të burgosura dhe janë certifikuar.
Ministria e udhëhequr nga Albulena Haxhiu ka potencuar se një e mitur e dënuar pas përfundimit të shkollës së mesme ka filluar edhe studimet në fakultet dhe se nga Organizata Caritas Kosova janë mbajtur trajnime në fushën e rrobaqepësi dhe floktari dhe janë certifikuar të burgosurat.
Sipas MD-së, rendi i brendshëm shtëpiak, organizimi dhe mënyra e jetës së personave të dënuar dhe të paraburgosur, në institucionet korrektuese, në veçanti: pranimi dhe vendosja, njohja me rendin shtëpiak dhe me dispozitat e tjera, ushqimi, mbrojtja shëndetësore dhe zbatimi i masave higjienike, mënyra e plotësimit të nevojave fetare, korrespodenca, pranimi i vizitave dhe i paketave, kushtet dhe mënyra e disponimit me të hollat e fituara si kompensim për punë dhe shpërblimet, mënyra e shfrytëzimit të pushimit vjetor, mbajtja e rendit dhe disiplinës, sistemi i shkeljeve disiplinore dhe të sanksioneve, janë disa nga aktivitetet ku angazhohen gratë dhe vajzat që janë në vuajtje të dënimit, apo që janë të paraburgosura.
Po ashtu, nga Ministria e Drejtësisë, theksojnë se “Kushtet dhe mënyra e aplikimit të masave disiplinore, masave të vetmisë, llojet e beneficioneve, të kushteve dhe mënyrës së shfrytëzimit të të gjitha beneficioneve, organizimi i aktiviteteve kulturore, arsimore, sportive dhe argëtuese, qëndrimi në hapësirë të hapur, lirimi dhe ndihma me rastin e lirimit nga mbajtja e dënimit me burg apo nga paraburgimi, vizitat, paratë e të e burgosurve pushimi për rastet e jashtëzakonshme, si dhe çështjet e tjera, të cilat janë me rëndësi për kushtet dhe mënyrën e mbajtjes së masës së dënimit me burgim dhe paraburgim”.
Sipas kësaj Ministrie, në muajin shkurt 2023 ka filluar trajnimin profesional për kulinari (kuzhinier), këtë trajnim po ndjekin 8 të burgosura.
“Trajnimin në Informatikë dhe Teknologji e kanë përfunduar 5 të burgosura në 4 module, si: Mirëmbajtje e pajisjeve për zyre; Përpunimi i tekstit (Ëord); Krijimi i tabelave (exel); Krijim i prezantimeve në poëer point. Është mbajtur një punëtori e titulluar “PODIUM”, të organizuar nga IPKO Fundation dhe Unicef, kanë marr pjese edhe grupi i vajzave 4, të dënuara nga Qendra Korrektuese e Femrave në Lipjan”- kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë.
Sipas tyre, kjo punëtori Podium nga UNICEF –i, e cila ka për qëllim aktivizimin e të rinjve për avokimin e të drejtave të tyre ka filluar aktiviteti me pikturë, ku tri të dënuara kanë filluar me punuar piktura nga pëlhura me tematik të “dhunës në familje” ku ne fund është mbajtur edhe një ekspozitë me këto piktura.
Zyra për media e këtij institucioni shtojnë se vajzat nga Qendra Korrektuese e Femrave në Lipjan kanë fituar projektin me vlerë 500 euro me temën “Dhuna në familje”.
“Është mbajtur një ekspozitë me pikturat e punuara nga të dënuarat si dhe është shfaqur një video (animacion) i shkurt me temën e dhunës në familje e mbështetur nga EULEX. Në këtë ekspozitë të mbajtur në QKFL, në kuadër të këtij aktiviteti janë shpërndarë 100 copë udhëzues (broshura) në Shkollën e mesme “Ulpiana” në Lipjan të punuara nga grupi i dënuarave me temën e dhunës në familje si dhe është mbajtur një ligjëratë nga shoqata “Ri Jeta” nga psikologia Arjeta Musliu”- ka thënë nga Ministria e Drejtësisë.
Edhe më tej, nga Ministria e Drejtësisë kanë treguar me rastin e festave të ndryshme organizohen aktivitete kulturo –artistike.
Sipas tyre, në kuadër të muajit nëntor, dyjavorit kundër dhunës në familje është punuar një aktivitet nga të dënuarat me pikturë, pune dore, kartolina të ndryshme, punë dore të ndryshme. Ku krahas kësaj shtojnë se është mbajtur në SHKK-e një ekspozitë me piktura, e punuara nga të burgosurat.
“Nga psikologia e IPFK-se është mbajtur një program “Psiko dramatik” me seanca dhe ka qenë shumë i mirëpritur nga të dënuarat. Programi edukues “Menaxhimi i zemërimit” janë mbajtur 3 grupe. Program që ka ndikuar mjaftë pozitivisht të burgosurat. Janë mbajtur ligjërata të fesë islame nga ligjërueset e kësaj lëmie. Është mbajtur trajnimi ”Shkathtësitë konkrete për marrëdhënie pune për të dënuar. Programi “shkathtësitë e buta” janë mbajtur me femrat e dënuara që është ofruar koha e lirimit”- kanë treguar nga Ministria e Drejtësisë.
Të pyetur nëse ekziston ndonjë organizate e cila merret me risocializimin e grave të dalura nga burgu, Ministria e Drejtësisë kanë thënë se nga organizata “Caritas Kosova” janë në dijeni se pas vuajtjes së dënimit, disa të ish burgosurave, ju kanë dalë në ndihmë me makina të qepjes.
Për trajnimin të cilin e kanë mbajtur në burgun e Lipjanit me të burgosurat, ka folur për KALLXO.com edhe Valon Hyseni nga organizata “Help Kosovo”.
Hyseni ka treguar për trajnimin të cilin e kanë mbajtur për filigran me të burgosurat në Lipjan.
Sipas tij, pesë gra janë certifikuar për punimin e filigranit.
“Një prej kërkesave që kemi pasur për me organizu trajnime, ka qenë ajo për përdorimin e filigranit, e cila kërkesë ka ardhë prej Ministrisë së Drejtësisë. E kemi gjetur një kompani e cila bën trajnim për filigran dhe që mundet me hy në burg me bë këtë trajnim sepse edhe hezitonin”, ka treguar Hyseni.
“Në fillim kanë qenë dhjetë të burgosura të cilat kanë qenë interesuara për këtë trajnim, dhe vetëm 5 prej tyre kanë arritur me u certifiku sepse trajnimi ka zgjatur një vit, ka qenë si shkollim. Dy herë në javë kanë mësuar edhe ka zgjatë gjatë gjithë vitit 2022”- ka thënë Hyseni. Ai ka përmendur edhe një trajnim në fushën e IT-së.
“Tash këto gra pritet që kur të dalin në liri, të kenë zanatin e vetë dhe ku munden me gjetë veten edhe me u punësu. Sepse ato kanë arritë me i bë prodhimet e veta, produktet janë të ekspozuara diku në Ministri të Drejtësisë. Nuk kemi dëgju që ka ndonjë organizatë të tillë në Kosovë. Unë personalisht nuk kam dëgju.. Në bazë të takimeve që kemi pasë me Shërbimin Sprovues të Kosovës, nuk e kanë cek ndonjë kompani e cila merret me këtë çështje ekskluzivisht”- ka thënë Hyseni.
Besa* është njëra nga të burgosurat që po vuan dënimin në Burgun e Lipjanit, e që është certifikuar për punime me material filigran.
“Kjo na ndihmon shumë për arsye se është diçka që e bëjmë shpirtërisht, me qejf, edhe na ndihmon me thy monotoninë, plus është diçka që shpaguhet edhe kur të dalim prej këtu (burgut)”- shton tutje ajo.
Me gjithë këto iniciativa për aftësimin e grave dhe vajzave që vuajnë dënimin me burgim, problemi qëndron se nuk ka një program afatgjatë dhe të qëndrueshëm i cili do i ndihmonte ato që të risocializoheshin më lehtë.
Edhe më tutje nuk ka ndonjë organizatë të specializuar e cila do ju ndihmonte që pas lirimit nga burgu, gratë dhe vajat të gjenin me lehtë veten në tregun e punës.
Në anën tjetër në Kosovë nga viti 2019 janë kthyer disa familje nga zonat e luftës, nga Siria dhe Iraku. Programet e Ministrisë së Punëve të Brendshme synojnë që gratë të kalojnë në procesin e vetëpunësimit në ekonomitë e tyre familjare.
31 gra nga 32 të rikthyera janë të përfshira në asistencë sociale.
Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së Rrjetit të Grave të Kosovës “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OSHC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19″. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Internews Kosova dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.