Gratë e kthyera nga Siria në Kosovë, foto në kampin

Sfidat sociale të trajtimit të të rikthyerve nga Siria e Iraku

Nga marsi i vitit të kaluar, Kosova u përball me pandeminë COVID-19 ndërsa të shumta kanë qenë familjet të cilët pa të ardhura kanë kërkuar ndihmë sociale nga institucionet relevante.

Komunat në Kosovë, kanë lista të veçanta për familjet të cilat kanë nevojë për asistencë sociale ndërsa në katër komuna të cilat i ka hulumtuar KALLXO.com, del se janë mbi 1 mijë familje që marrin një asistencë të tillë.

Në këto lista janë përfshirë edhe gratë që janë rikthyer nga luftërat e huaja e të cilat janë ndihmuar që nga ardhja e tyre në Kosovë.

Pas rikthimit në Kosovë, ato hasën në probleme financiare, ndërsa shteti ishte kujdesur që disa nga gratë e rikthyera t’i strehonte në lokacione të caktuara.

Në prill të vitit 2019 Kosova arriti që të rikthej 110 kosovarë të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.

Rikthimi i kosovarëve u konsiderua një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë.

Gratë fillimisht u përballën edhe me një proces gjyqësor në lidhje me shkuarjen në Siri e Irak por të njëjtat në anën tjetër përmes programeve të ndryshme të institucioneve kosovare u ndihmuan në riintegrim në shoqëri.

Fëmijët e rikthyer u sistemuan edhe në shkolla ani pse duhej të mbanin mësime të veçanta në mënyrë që të mbërrinin të mësonin të gjitha ato që kishin humbur deri sa po qëndronin në zonat e konlfkitit.

Disa prej fëmijëve kishin lindur në zonat e konfliktit, duhej që të fillonin arsimimin që nga shkrim leximi.

Ministria e Punëve të Brendshme në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se aktivitet për gratë dhe fëmijët që janë rikthyer kanë qenë të shumta por edhe të ndara mes vete.

31 gra nga 32 të rikthyera janë të përfshira në asistencë sociale ndërsa MPB tregon edhe kërkesat e tyre gjatë kohës së pandemisë.

“Gjatë kohës së pandemisë, ka pasur kërkesa kryesisht për pajisje elektronike lidhur me procesin e ndjekjes së mësimit online nga disa të rikthyer e ku në ndihmë na kanë dalë edhe Komuna e Prishtinës por edhe një organizate vendose dhe për një periudhë të shkurtër janë pajisur me këto pajisje”, thuhet në një përgjigje të MPB-së për KALLXO.com.

Qindra pako ushqimore janë shpërndarë për gratë e fëmijët që janë rikthyer nga zonat e luftës në Siri.

“Gjatë kësaj kohe kemi bërë edhe shpërndarjen e mbi 300 pakove ushqimore e higjienike për të gjitha familjet e personave të cënuar”, thuhet tutje në përgjigje.

Sipas MPB-së këto nuk janë të vetmet shërbime që i janë ofruar grave të rikthyera pasi që aktivitetet për riintegrimin e tyre kanë qenë të vazhdueshme.

“Aktivitetet për gratë kanë qenë trajnime dhe kurse të ndryshme në veçanti kursi i rrobaqepësisë, ku pas përfundimit të nivelit të parë gratë janë pajisur edhe me makina për rrobaqepësi. Tashmë të njëjtat janë duke ndjekur nivelin e dytë dhe avancimi i tyre është i kënaqshëm”, thonë MPB.

Ministria e Punëve të Brendshme ka theksuar se përveç punës së tyre, bashkëpunimi me komunat e caktuara ku jetojnë gratë e rikthyera është i kënaqshëm.

Vebi Mujku, Drejtor i Qendrës për Punës Sociale në Prishtinë ka thënë për KALLXO.com se vetëm në kryeqytet jetojnë 12 gra dhe 28 fëmijë.

“Gratë e rikthyera janë ndihmuar njëjtë sikurse para pandemisë dhe gjatë pandemisë. Kanë qenë përfituese të ndihmave të ndryshme duke filluar nga asistenca sociale”, tha Mujku.

Tutje drejtori i QPS-së tregon edhe se cilat shërbime u janë ofruar grave të rikthyera në Prishtinë gjatë kohës së pandemisë.

“Këto familje kanë përfituar pako ushqimore, pako higjienike por edhe ndihma të tjera që kanë qenë nga donatorë të ndryshëm. Ne si QPS i kemi pasur prioritet të gjitha këto familje në mënyrë që të mos i lëmë anash dhe se kur kanë pasur nevojë për diçka u kemi ofruar edhe veshmbathje edhe gjëra të tjera. Këto shërbime kanë qenë vazhdimisht”, tregon Mujku.

Në Gjilan, Drejtori i Qendrës për Punë Sociale ka treguar se gratë gjatë kohës së pandemisë nuk kanë pasur kërkesa të veçanta përveç furnizimit me ushqim e pako higjienike gjë që nuk ka munguar.

“Të gjitha gjërat e nevojshme ju janë ofruar të gjitha grave që janë rikthyer së bashku me fëmijë. Ani pse kjo periudhë e pandemisë është konsideruar e rëndë nuk kemi pasur probleme që t’i furnizojmë me ushqim gratë ndërsa të njëjtat janë edhe me asistencë sociale”, tha Mursel Zymberi, drejtor i QPS-së në Komunën e Gjilanit.

Kjo komunë ka ndërtuar edhe një model për parandalimin e ekstremizmit ndërsa janë ndërmarrë veprime të shumta për riintegrimin e personave të rikthyer nga zonat e luftës.

Ani pse sot, nuk raportohet për shkuarje në zonat e luftës, rikthimi i kosovarëve dhe trajtimi i tyre është ende sfidë në vete.

Gjilani, ka instaluar tash e katër vite një Mekanizëm Referues për trajtimin e terrorizmit dhe radikalizmit.

Në këtë mekanizëm janë të përfshirë të gjitha institucionet relevante lokale e qendrore të cilat ndihmojnë në trajtimin e riintegrimit të të rikthyerve.

Komuna e Vitisë, ka të regjistruara dy gra që janë rikthyer nga zonat e luftës dhe katër fëmijë.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Vitisë, Demush Mehmeti ka thënë për KALLXO.com se gratë janë sistemuar në listat e asistencës sociale.

“Që kur kanë ardhur ato janë në listën e asistencës sociale. Këto gra janë ndihmuar sikurse të gjitha familjet e tjera edhe në kohë pandemie. Kanë marrë pako ushqimore, higjienike, pagesa me asistencë pasi që është edhe projekt i ministrisë. Kërkesa të veçanta nuk ka pasur, nuk kemi të evidentuar kërkesa të tilla”, tha Mehmeti.

Në Komunën e Kamenicës, janë rikthyer dy fëmijë prindërit e të cilëve kanë vdekur nga konfliktet që kanë ndodhur në Siri.

Drejtoresha e Punëve dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë , Suna Zajmi ka thënë për KALLXO.com se këtyre fëmijëve u ofrohen shërbime të ndryshme por edhe vizitohen disa herë gjatë vitit.

“Kjo ndodhë për të përcjellë gjendjen e tyre emocionale, shëndetësore, pagesës, shkollimin”, thotë Zajmi.

Tutje ajo shton se të njëjtëve u ofrohen edhe pako ushqimore, higjienike, lojëra për fëmijë. Këto shërbime u janë ofruar edhe gjatë kohës së pandemisë.

“Ata gëzojnë mbështetje financiare në vlerë prej 100 euro nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale “, thotë tutje drejtoresha Zajmi.

Madje Zajmi tregon se ka pasur vështirësi gjatë kohës së pandemisë në ofrimin e shërbimeve sociale.

“Si çdo komunë tjetër kemi pasur vështirësi në përgjithësi por megjithatë ia kemi dalë që ta menaxhojmë mjaftë mirë me të gjitha rastet edhe më këta dy fëmijë të cilët janë rikthyer nga Siria në veçanti”, përfundon Zajmi.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për riintegrimin e kosovarëve të rikthyer nga zonat e konfliktit.

110 kosovarë u rikthyen nga Siria e Iraku në prill të vitit 2019. Ardhja e tyre u bë me një aeroplan privat ndërsa siguria në aeroport ishte e madhe.

Çdo cep i aeroportit ishte i mbuluar nga Policia e Kosovës ndërsa pas kontrolleve gratë dhe fëmijët e rikthyer u vendosën për 72 orë në Qendrën e Azilit në Vranidoll.

KALLXO.com në atë kohë kishte intervistuar Koordinatorin Nacional për parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm Fatos Makollin.

Makolli kishte dhënë detaje të aksionit i cili u zhvillua e ku u rikthyen 110 kosovarët nga ta, 4 burra, 32 gra dhe 74 fëmijë, nëntë nga fëmijët u rikthyen pa asnjë prind dhe të njëjtit u vendosën te të afërmit kryesisht gjyshërit.

Procesi i kthimit kishte qenë i gjatë sipas Makollit ndërsa , institucionet e Kosovës kanë punuar për muaj të tërë dhe procesi kishte përfunduar në mënyrë të suksesshme me 20 prill.

“Institucionet e Kosovës kanë qenë të përgatitura, qysh me kohë. Në vitin 2017 kemi parashiku që një ditë luftëraët e huaj dhe familjarët kosovar mund të kthehen në Kosovë dhe ka mesi i vitit 2017 kemi përgatit një plan të detajuar sidomos planin e pjesës së parë i cili ka qenë i detajuar. Megjithëse që nuk kemi pasur njohuri që ka me kanë një kthim i koordinuar por ka ekzistuar gjithmonë dyshim i se ata mund të kthehen në forma të ndryshme, coftë ilegalisht por edhe në mënyrë të organizuar”, kishte thënë Makolli.

Ardhja e grave dhe fëmijëve nga zonat e luftës ngjalli debat në publik nëse do duhej apo jo që të pranoheshin nga Kosova.

Institucionet e Kosovës filluan me programe të ndryshme të riintegrojnë të rikthyerit ndërsa aktivitete të ngjashme zhvillohen edhe sot.

Rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut. Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, më së shumti atje ka fëmijë.