Granit Elshani lirohet nga akuzat për rastin e vrasjes në diskotekë në vitin 2010

I akuzuari për tri vepra penale, Granit Elshani është liruar nga akuzat lidhur me vrasjen që kishte ndodhur në diskotekën “C.C.” në Pejë.

Ky vendim është marrë nga trupi Gjykues, me në krye, Sulltan Dobraj- kryetar.

“Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit G. E., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, akuzohej për veprat penale, “Vrasja e rëndë”, “ Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Gjakovës.

Kujtojmë që në vitin 2018, Elshani ishte dënuar për herë të parë nga Gjykata e Pejës me 25 vite dënim me burgim por që Apeli rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Lidhur me këtë rast, Elshani për herë të dytë në vitin 2022 ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës me 24 vite burgim nën akuzën se ka kryer 1 vrasje dhe 2 vepra tjera penale.

Ky vendim ishte Apeluar nga palët duke kthyer rastin në rigjykim për tu gjykuar nga Gjykata e Gjakovës.

Prokuroria pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Granit Elshani akuzohet se më datën 02 janar 2010, në Pejë, në diskotekën “C. C.”, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” në Pejë, me dashje në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin Valdet Kelmendi.

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se Elshani ka nxjerr dy armë dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të tij me këtë rast me dashje ka privuar nga jeta viktimën B. Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V. K., A. B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm në diskotekë.

Po ashtu në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, jashtë diskotekës “C. C.”, me armë zjarri ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, duke rezultuar me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarit H. B.”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.