Graçanicë, formohet Aleanca Shqiptare për zgjedhjet e 17 tetorit

Tri parti shqiptare kanë vendosur që t’i bashkojnë forcat në Graçanicë për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor në gjithë vendin.

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë lënë anash rivalitetin qendror dhe janë bërë bashkë në një listë të emëruar si Aleanca Shqiptare për Graçanicën.

Tashmë, këto parti kanë aplikuar edhe pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa bartës i listës do të jetë Leutrim Ajeti.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Granit Gashi, përfaqësues i LDK-së. Gashi u ka bërë thirrje edhe pakicave tjera jo serbe në Graçanicë që t’i përkrahin në zgjedhje.

“Sot u krijua Aleanca Shqiptare për Graçanicë, aleancë e cila synon afirmimin e të drejtave të komuniteteve pakicë brenda komunës. Kjo aleancë u krijua ta luftoj pushtetin korruptiv të Listës Serbe e assesi popullin serb. Ne i ftojmë të gjitha komunitetet pakicë brenda komunës së Graçanicës: shqiptaret, ashkalit, romet dhe goranët që të bashkohen me Aleancën Shqiptare për t’i realizuar të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetute dhe ligje”, ka thënë ai.

Ditë më parë, partitë shqiptare u bënë bashkë edhe në Mitrovicën e Veriut.

Partitë shqiptare në Mitrovicën Veriore bëhen bashkë për zgjedhjet lokale

www.kallxo.com