Seanca ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit (07.09.2023), Foto: KALLXO.com

Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit për krim të organizuar, mbrojtja kundërshton dëshminë e dëshmitarit

Në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës u ul të enjten ish – kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe 13 të tjerë, të cilët Prokuroria i akuzon për krim të organizuar.

Në seancë prezent ishin vetëm 14 prej 15 të akuzuarve pasi që e akuzuara Jellica Baraqin për shkaqe shëndetësore nuk ishte pjesë e kësaj seance.

Për këtë arsyeje kryetarja e trupit gjykues mori vendim për veçimin e procedurës për të njëjtën.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Trupi gjykues në këtë çështje përbëhet nga Violeta Namani – kryetare, dhe antarët Vesel Ismaili dhe Suzana Qerkini.

Në seancën e sotme, të akuzuarit u përballën me dëshminë e dëshmitarit Dragan Beshakoviq, i cili kishte punuar në Komunën e Leposaviqit deri sa ishte pushuar nga puna nga kryetari, tashmë i akuzuari Dragan Jabllanoviq.

Gjatë marrjes në pyetje nga Prokurorja, Beshakoviq deklaroi se në vend të tij është emëruar tashmë i akuzuari Aleksandër Açkobviq, ndërsa arsyjet e shkarkimit të tij nuk i din.

Dëshmia e dëshmitarit filloi e mbaroi me kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

Sipas dëshmitarit, ai kishte punuar në organet e përkohshme Leposaviq sipas sistemit të Serbisë si dhe në sistemin e Kosovës në pozitën e drejtorit të infrastrukturës.

Me të filluar rrëfimit, mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Banoviq – avokati Arianit Koci e cilësoi dëshmitarin si “të pabesueshëm” e se dëshmia e tij nuk mund të jetë e paanshme.

“Para se me fillu dëshminë ky duhemi me pyet a e pranon Republikën e Kosovës a e pranon këtë gjykatë?” “A kanë qenë në organe paralele apo ka qenë organe të Kosovës,  kjo edhe njëherë e forcon bindjen time se ky dëshmitar me dëshminë e tij nuk na jep kurrfarë vlere të shtuar sa i përket këtij gjykimi“ u shpreh Koci.

Prokurorja e rastit Merita Bina Rugova lidhur me këtë u shpreh duke thënë “deri tash është zbuluar që në fakt qëndrimet e tija politike janë identike me të akuzuarin e parë Dragan Jabllanivoq”.

Ndërsa në këtë kontekst kryetarja e trupit gjykues i luti palët e procedurës që të mos komentojnë lidhur me qëndrimet politike të dëshmitarit.

Po ashtu, avokati Xhafer Tahiri, i cili në këtë procedurë mbron të akuzuarin Mehdi Haxhiu, në emër të të gjithë mbrojtësve ka propozuar që të refuzohet dëshmia e këtij dëshmitari me bazat e njëjta që i kishte cekur avokati Koci.

Qëndrimin e njëjtë si Koci e mbante edhe avokati Xhafer Tahiri, i cili në orën e fundit të seancës u shpreh “nuk duhet të pranohet nga sistemi i Republikës së Kosovës për shkak se dëshmitari sapo pranoi se nuk ka qenë punëtor i komunës së Leposaviqit sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rrjedhimisht një Aktakuzë e Prokurorisë nuk mund dhe nuk duhet të bazohet në një dokument i cili është hartuar nga persona të cilët nuk kanë qenë punëtorë të Kosovës”.

Kurse kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani e refuzoi këtë kërkesë të mbrojtjes kështu duke lejuar Beshakoviqin që të vazhdojë dëshminë.

Mbrojtësit gjithashtu deklaruan se raporti i formimit të komisionit për të cilin u fol gjatë rrëfimit të dëshmitarit nuk figuron në shkresat që i posedojnë asnjëri prej avokatëve, dhe kërkuan nga gjykata që të ndërpritet gjykimi deri sa ata të pajisen me këtë raport.

“Si mbrojtje kërkojmë qe prokuroria te na prezantoj vendimin e kryetarit Todiq për emërimin e këtij komisioni dhe te vërtetohet a e ka nënshkruar dhe vulosur me vulën e Kosovës apo me vule tjetër ose është pa vule fare.”

Në të kundërt mbrojtja deklaroi se do të jetë pasive gjatë gjykimit dhe nuk do të marrin pjesë në marrjen në pyetje të dëshmitarit.

“Te gjithë mbrojtësit kemi pyetje për dëshmitarin por deri sa te vërtetohet autenticiteti i vendimit dhe raporti po ashtu mbrojtja do te jete pasive. Kërkojmë qe te ndërpritet seanca dhe te vazhdohet vetëm kur te vërtetohet autenticiteti për shkak se asnjë nga mbrojtësit nuk e kanë këtë” – kështu u shpreh avokati Xhafer Tahiri, i cili u shpreh në emër të mbrojtjes.

Kurse Prokurorja Bina – Rugova lidhur me këtë deklaroi se “secili prej tyre posedon këtë raport, sa i përket kërkesës për te vërtetuar postimin e vulës dhe logos te gjithë ne kemi mund me pa qe ne asnjë shkrese as dokument nuk ekziston as ajo vule as logo.”

Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviqin, Haxhi Bejtën, Aleksandar Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksandar Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin, Jellica Baraqin dhe Boban Millovanoviqin, se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti ju ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa milionë euro.