Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari i katërt rrëfehet në senacë të mbyllur

Dëshmitari i katërt, i identifikuar me numër 4748 të mërkurën ka vijuar të japë dëshmi në seancë të mbyllur për publikun.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet gjykimi kundër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit dhe tre bashkëluftëtarëve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimin, të cilët po akuzohen me krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Me kërkesë të prokurorisë marrja në pyetje e dëshmitarit po zhvillohet në seancë private.

Paraprakisht gjykatësi Charles Smith III ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Rexhep Selimit për të hequr nga procesverbali pjesë me të cilat nuk u pajtua mbrojtja.

“Trupi gjykues shqyrtoi kërkesën por nuk mendon se ka raste ligjore të parashikuar me ligje apo në rregullore që t’i japë të drejtë trupit gjykues të heqin nga procesverbali pjesë të caktuara me të cilat nuk pajtohet mbrojtja”- theskoi gjykatësi.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi ndaj i ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë filloi më 3 prill 2023.

Ndërkaq ditë më parë gjykata ka njoftuar se Paneli i Apelit ka refuzuar kërkesat e 20 personave për të marrë pjesë si viktima.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen me katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Prokuroria po pretendon për mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Të katër akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm në lidhur me pretendimet e Prokurorisë  Speciale.

KALLXO.com ka raportuar për të gjitha zhvillimet në këtë çështje ku mund t’i gjeni në këtë LINK.