Gjykimi ndaj Bedri Krasniqit: Çka deklaruan palët në seancën e fundit para shpalljes së aktgjykimit?
Në gjykatën e Prishtinës, sot u mbajt seanca e fundit para shpalljes së aktgjykimit ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit të akuzuar për vrasje të rëndë dhe vrasje në tentativë.
Prokurorja e rastit Habibe Salihu, në fjalën e saj përfundimtare tha se gjatë gjithë shqyrtimeve gjyqësore është vërtetuar përmes provave se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë sipas aktakuzës së korrikut të vitit 2017.
Ajo tha se në këtë rast nuk ka asnjë rrethanë e cila do t’i përjashtonte ata nga përgjegjësia penale, dhe për këtë kërkoi dënimin sipas Kodit penal.
Trupi gjykues i cili do shpallë verdiktin për këtë çështje gjyqësore përbëhet nga Arben Hoti kryetar, kurse Mentor Bajraktari dhe Valon Kurtaj – anëtarë.
Provat të cilat ajo theksoi se mbështesin aktakuzën janë deklaratat e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti, si dhe provat tjera materiale, raporte të AND-së dhe forenzikës.
E pikërisht ky dëshmitar dhe deklaratat e tija ishin tema e cila dominoi më së shumti edhe nga ana e prokurorisë por edhe nga ana e mbrojtjes.
Mbrojtësi i të akuzuarit Dizdari, avokat Florent Latifi, i cili i tha trupit gjykues se nuk duhet të merret parasysh dëshmia e këtij dëshmitari ngase sipas tij edhe Gjykata Supreme ka vendosur të mos i besojë këtij njeriu.
“Atij njeriu nuk i beson askush përveç prokurorisë” – tha avokati Latifi në seancën e sotme.
I akuzuari Bedri Krasniqi lidhur me këtë dëshmitar tha se është përkujdesur për të shumë kur ka qenë në burg, e se ishte përkujdesur edhe për familjen e tij.
“Kur më ka akuzu për kërcënim kinse të tij dhe familjes së tij më ka lëndu shumë, se askush nuk iu ka kujdes për familje e tij se sa unë, për asnjë interes veç për hir të Zotit”- u shpreh Krasniqi.
Në seancën kur Shkumbin Mehmeti kishte dëshmuar në këtë rast, gjykimi ishte mbyllur për publikun, për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë.
Avokatja e Bedri Krasniqit, Drita Sopi theksoi se klienti i saj duhet të lirohet, ngase sipas saj deklaratat e dëshmitarit Mehmeti ishin të demantuara nga vet ai.
“Nëse gjykata ia fal besimin deklaratave të mëparshme dhe jo këto të fundit, sipas nenit 257 gjykata nuk mund ta shpallë fajtor të akuzuarin duke u mbështetur vetëm në një deklaratë” – tha avokatja Sopi në seancë.
I akuzuari Alban Dizdari, në fjalën e tij përfundimtare tha se e kishte humbur besimin në organet e drejtësisë.
“Me pasë pas drejtësi, ditën që ka dëshmu Shkumbin Mehmeti, unë ish desht m’u liru” – tha ai.
Kurse, i akuzuari Krasniqi i tha trupit gjykues se është hallka e vetme fatkeqësisht që shpreson me u kap, dhe se ka vërejtur tek trupi gjykues se kanë një interesim për ta zbardhur të vërtetën, kurse për këta të fundit tha se nuk kanë asnjë fakt ose provë të vetme.
“Nëse edhe ju më zhgënjeni nuk kam vullnet ma…Vendimi i kësaj gjykate ka shumë peshë për mua” – tha Krasniqi.
Në fund të seancës, ai kërkoi nga trupi gjykues të bëjë një fotografi me gruan e tij më të cilën tha se është martuar që 12 vite, dhe kanë 2 fëmijë bashkë.
Një gjë të tillë nuk e lejoi gjyqtari Hoti duke i thënë se për këtë duhet të drejtohet tek Shërbimi Korrektues dhe të veprojë sipas rregullores së këtij të fundit.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, i familjes Rrustolli, policit të vrarë, kërkoi nga gjykata që palën e dëmtuar ta udhëzojë në kontest civil për realizim të kërkesës pasurore juridike.
Të akuzuarit sipas dosjes së prokurorisë, kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.
Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.
Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga Gjykata Supreme në shtator 2017, ata ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.
Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.
.Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Më tutje theksohet Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.
Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 13 shtator, ditën e mërkurë.
Raportimet e KALLXO.com për këtë rast – LINK