Foto: KALLXO.com

Gjykimi i pronarit të kompanisë "Sallahu", i akuzuar për mashtrim në prokurim publik, dëgjohen dy dëshmitarë

“Nuk kam kërkuar as në formë të shkruar, as në mënyrë verbale, auditim të jashtëzakonshëm” – tha sekretari i përgjithshëm të Ministrisë së Infrastruktruës, Isedin Bytyqi, në gjykimin e Begzat Musliut, i cili po akuzohet se ka bërë auditim me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” për projektin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacionin Drelaj”.

Në këtë rast, pos Musliut, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, i akuzuar është edhe pronari i kompanisë “Sallahu”, Naim Sallahu, i cili po ngarkohet me veprën – keqpërdorim apo mashtrim me prokurim publik.

Isedin Bytyqi, dëshmitar i Prokurorisë, mohoi të ketë kërkuar nga tashmë i akuzuari Musliu që të përpilohet auditim i jashtëzakonshëm.

I njëjti tha se këtë nuk e ka kërkuar as në formë të shkruar e as në mënyrë verbale. Pasi që, sipas tij, për t’u bërë një kërkesë për auditim të jashtëzakonshëm duhen procedura.

Bytyqi shpjegoi se si shkon procedura nëse bëhet një kërkesë për auditim të jashtëzakonshëm.

“Këto janë të përcaktuara me ligjet e kontrollit të brendshëm, zakonisht i kërkon ministri, mirëpo për një çështje të paqartë mund të kërkoj edhe unë që të zhvillohet një auditim, por përmes ministrit”- tha dëshmitari.

Dëshmitari i dytë, Laudin Myrtaj, tregoi – ndonëse nuk iu kujtua data e saktë, se ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e Sallahut lidhur me ankesën që ky i fundit kishte lidhur me futjen e kompanisë së tij në listë të zezë nga Divizioni i prokurimit brenda Ministrisë.

Takimi fizik sipas dëshmitarit është zhvilluar në prani të dy zyrtarëve të tjerë.

Në këtë seancë është dhënë fjala hyrëse nga palët si dhe të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm përballë akuzave që rëndojnë ndaj tyre.

Seanca e radhës u caktua për më 31 tetor.

Ky rast po gjykohet nga gjykatësit Avni Syla- kryetar i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe Sulltane Hoti.

Sipas aktakuzës, i pandehurit Begzat Musliu me nëntor të vitit 2020 i ka tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.

Auditimi i lëndës së prokurimit është bërë për projektin me emrin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë-Kuqishtë me lokacionin Drelaj”.

Sipas aktakuzës, Musliu jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar edhe një raport të auditimit në favor të operatorit ekonomik “Sallahu” me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për kompaninë në fjalë, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk kishte pasur autorizim.

Përmes këtij raporti që ka përpiluar Musliu e që ishte dërguar jashtë procedurës në arkivat e OSHP-së, ka ndikuar që ky organ t’i falë besimin si provë këtij raporti e të mos e fusë në listën e zezë të OSHP-së kompaninë “Sallahu”.

Aktakuza thotë se i pandehuri tjetër, Naim Sallahu, pronar i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit.

Tutje, sipas Prokurorisë, Sallahu në cilësinë e pronarit të kompanisë ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar, ashtu që lëndë ka paraqitur referenca për gjeodetin Fadil Shehu se i njëjti kinse ka punuar në projektin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik) “lot 1”, por që në projekt nuk ka qenë i angazhuar ky gjeodet.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Fadil Shehu për deklarim të rremë nën betim për këtë rast, por i njëjti e kishte pranuar fajësinë.