Gjykimi i ish-kryetarit të Leposaviqit dhe të tjerëve për krim të organizuar, dëshmitari: Kjo aktakuzë është iniciuar nga Lista Serbe

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur gjykimi kundër ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe 14 personave të tjerë, të cilët akuzohen për krim të organizuar.

Në këtë seancë janë dëgjuar tre dëshmitarë, Andrija Ignjatoviq, Faton Nebihu dhe Arif Alimusaj.

Dëshmitari Andrija Ignjatoviq gjatë dëshmisë së tij tha se kjo aktakuzë është iniciuar nga njerëzit e Listës Serbe.

“Nga këta njerëz të Listës Serbe është iniciuar kjo aktakuzë, që këta njerëz këtu të akuzohen edhe pse nuk janë fajtorë për asgjë” – tha dëshmitari Ignjatoviq.

Tutje ai deklaroi se gjatë viteve 2016-2017 ka qenë drejtor për Buxhet dhe Financa në Komunën e Leposaviqit, dhe detyrë e tij ka qenë përpilimi i raporteve financiare, planeve buxhetore, raportet tremujore dhe të tjera por jo zbatimi i procedurave të prokurimit, e cila, sipas tij, ka qenë obligim i zyrtarit të prokurimit publik.

Tutje, dëshmitari deklaroi se i kujtohej fillimi i procedurave të ekzekutimit të pagesave në autoritetin përmbarues sipas kërkesave të bizneseve.

“Më kujtohet se ka ardhur për pagesë me detyrim për pjesën e borxhit, për borxhin të cilin Komuna e Leposaviqit e ka pasur ndaj atyre dy kompanive” – tha Ignjatoviq.

Tutje ai tha se për këtë çështje kishte biseduar me kryetarin e Komunës, dhe se e kishte njoftuar se dokumenti për pagesë kishte arritur nga përmbaruesi privat dhe se ato pagesa do të duhej të kryheshin nga ministritë e jo Komuna.

Dëshmitari deklaroi që edhe vetë personalisht kishte shkuar disa herë në Ministrinë e Financave për sqarime lidhur me këtë borxh, por sipas tij, të njëjtit, nuk kishin dashur që ta paguanin këtë borxh.

“Dhe arsyeja pse nuk është paguar është sepse Ministria nuk ka dashur ta paguajë atë borxh nga arsyet politike sepse në krye të atyre ministrive kanë qenë ministrat nga Lista Serbe, ndërsa ne nuk kemi qenë në raporte të mira në koordinim me ta” – shtoi dëshmitari.

Sipas tij, këto pagesa nuk janë përfunduar nga Ministria për arsye politike.

Më tej u dëgjuan edhe dy dëshmitarët e tjerë, Faton Nebihu dhe Arif Alimusaj.

Dëshmitari Nebihu deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklaratës të dhënë më parë në Polici. Ndërsa për shkaqe shëndetësore të të njëjtit, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova e kurseu dëshmitarin Nebihu që t’i parashtrojë më shumë pyetje.

Mbrojtja pati vërejtje lidhur më këtë.

Ndërsa, dëshmitari Alimusaj deklaroi se Ministria e Shëndetësisë ka pasur dy memorandume me Komunën e Leposaviqit që sipas tij njëra ka qenë për një shtëpi të shëndetit për renovim, ndërsa tjetra për një objekt për rregullimin e ngrohtores në një fshat të komunës.

Dëshmitari Alimusaj tha se Komuna ka pasur për detyrë ofrimin e punishteve, ndërsa financimin dhe monitorimin e ka bërë Ministria. Ai tha se detyra e tij si zyrtar ka qenë monitorimi i zhvillimit të investimit dhe në rast të parregullsive ta njoftojë eprorin e tij.

Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviqin, Haxhi Bejtën, Aleksandar Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksandar Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin, Jellica Baraqin dhe Boban Millovanoviqin, se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Trupi gjykues  është në përbërje nga Violeta Namani – kryetare, Suzana Qerkini dhe Vesel Ismaili – anëtarë.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti u ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa miliona euro.

Artikujt e tjerë rreth këtij rasti mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.