Gjykata vendos për të akuzuarin për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e 2021-ës

Granit Halilaj i akuzuar për falsifikim të rezultateve të votimit është gjetur fajtor nga gjykata e Prishtinës, pasi i njëjti ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë. I njëjti u dënuam me burgim me kusht prej 1 viti, dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Halilaj është njëri nga 6 të bashkakuzuarit e tjerë, ku bënë pjesë edhe ish-kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Haxhi Shala, për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet parlementare të 14 shkurtit të vitit 2021.

Gjykata në përbërje prej Vesel Ismaili- kryetar i trupit gjykues, Violeta Namani dhe Suzana Qerkini- anëtare, të pandehurit i shqiptuan dënim me kusht, një vit dënim me burgim.

Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse nga i pandehuri nuk kryhet vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej një viti.

Si dënim plotësues të akuzuarit ju shqiptua, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publikë në kohëzgjatje prej 12 muajve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Prezent në sallë gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishte prezent i akuzuari.

Në këtë rast të akuzuar të tjerë janë Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj, Përparim Përvetica, Haxhi Shala, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi.

Lidhur me këtë rast dëshmi në seancën e datës 13 nëntor 2023, ka dhënë ish-ministira e punëve të jashtme, Melisa Haradinaj- Stublla.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale për falsifikim të rezultateve të votimit akuzohen Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj dhe Përparim Përvetica.

Pesë të lartcekurit akuzohen se nga 1 janari i vitit 2021 e deri më datën 10 mars të atij viti në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë i falsifikojnë rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare  të 14 shkurtit të vitit 2021.

Aktakuza shpjegon se si të pandehurit Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Ilirjan Hysenaj, Granit Halilaj si punonjës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në marrëveshje paraprake me të pandehurin Përparim Përvetica i falsifikojnë rezultatet e votimit, me qëllim të shtimit të votave për kandidaten Meliza Haradinaj- Stublla nga radhët e AAK-së. Pasi që gjatë numërimit të votave me kusht dhe me postë, i shtojnë 65 vota kandidates për deputete Haradinaj-Stublla.

Tutje, sipas Prokurorisë, më 2 mars të atij viti, i pandehuri Sahit Mataj dhe Arbër Krasniqi takohen me dëshmitarin J.B. (bashkëshorti i kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi), ku gjatë diskutimit i tregojnë dëshmitarit se i kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve duke i shtuar vota kandidates Meliza Haradinaj-Stublla, kurse dëshmitari J.B. i kishte incizuar dhe i kishte publikuar në mediat vendore.

Pas kësaj, gjatë kontrolli të kryer nga KQZ dhe hetuesit e Policisë në QNR janë rinumëruar votat dhe janë konstatuar se kandidates në fjalë i janë shtuar 65 vota.

Pas publikimit të audio-incizimeve, sipas aktakuzës, i akuzuari Përparim Përvetica e thërret të pandehurin Ilirjan Hysenaj në Viber, dhe bisedojnë lidhur me shtimin e votave për Haradinaj-Stubllën dhe për arrestimin e Sahit Matajt e Arbër Krasniqit.

Foto:

Në pikën dy të aktakuzës, akuzohen Haxhi Shala, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi se me dashje dhe bashkëkryerje i falsifikojnë rezultatet përfundimtare zgjedhore, duke i shtuar vota të pandehurit Haxhi Shala – kandidat për deputet nga radhët e AAK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Sahit Mataj dhe Dardan Gashi (djali i motrës së të pandehurit Shala), planifikojnë dhe i shtojnë vota të pandehurit Shala.

Me 1 mars të vitit 2021 i pandehuri Mataj i dërgon SMS Haxhi Shalës me përmbajtje: “Jam nipi i Florimit, më erdhi një informatë se edhe 250 të duhen a është e vërtet?”. “Po” – i përgjigjet Shala.

Mataj i përgjigjet prapë Shalës: “U kry komandant, po i mshojmë karate, në Drenas tu ka rrit pram me kusht”.

Tutje i akuzuari Mataj vazhdon ta informojë Shalën se në Drenas nga 2 vota i janë bërë 35. Një ditë pas, më 2 mars 2021, Mataj sërish i shkruan SMS Shalës me tekstin: “Komando fort përfekt ka shku, dëgjohemi nesër”.

Më 2 mars 2021, i akuzuari Dardan Gashi i dërgon SMS të pandehurit Mataj: “M*** u bo, m*** u bo më nxunën man, krejt kutinë me qel prap, në rinumërim prap, q*** nanën, natën e mirë.”

Me këto veprime të tre të lartcekurit secili veç e veç akuzohen se në bashkëkryerje kanë falsifikuar rezultatet e votimit.