Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Gjykata Supreme reagon ndaj deklaratave të anëtarit të LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi

Gjykata Supreme e Kosovës përmes një reagimi lidhur me deklaratat e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se i njëjti ka përdorur gjuhë të papranueshme karshi Gjykatës Supreme, dhe gjyqtarit të kësaj gjykate, Zenel Leku.

“Gjykata Supreme dënon ashpër këtë gjuhë reagimi të paprecedent dhe konsideron se deklaratat e tilla, përveçse janë të papranueshme, përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë”- thuhet në reagimin e datës 01.09.2025.

Sipas Gjykatës, lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi.

“Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte”- thuhet tutje në reagim.

Ndërsa thuhet se Gjykata Supreme vendimet e saj i bazon në Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëherë nuk do të jetë në shërbim të politikave ditore.

Në mbledhjen e KQZ-së më 01.09.2025, anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, e quajti vendimin e Gjykatës Supreme për certifikimin e Listës Serbe si “koordinim kriminal të organeve të drejtësisë”.

Ai e quajti vendimin e Supremes për certifikimin e Listës Serbe si “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë”.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërhyri, duke i thënë “fol nëse keni fakte diçka për dikënd”.

Por, Krasniqi më pas u kundërpërgjigj prapë.

“Kryetar, nëse ke guxim, i folë do fjalë të rënda, kur po flet me Listën Serbe po e ulë kryet dhe s’po bën zë, e mu çka po më pengon, zoti Zenel Leku, i cili ka pranu një e-mail me të gjitha shpjegimet e bëra. Sepse ka frikë edhe me kthy përgjigje”- tha Krasniqi në mbledhjen e KQZ-së që është mbajtur më 01.09.2025.

Anëtarët e LVV-së në KQZ akuzojnë ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe Gjykatën Supreme për certifikimin e Listës Serbe