Gjykata Speciale në Hagë - Foto: REL/EPA-EFE

Gjykata Speciale: Prej këtij momenti viktimat e krimeve të pretenduara mund të marrin pjesë në procesin gjyqësor

Dhomat e Specializuara përmes një komunikate për media ka njoftuar se nga sot të gjithë viktimat e krimeve të pretenduara në aktakuzën kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, mund të marrin pjesë në procesin gjyqësor.

Sipas njoftimit, viktimat mund të marrin pjesë nëse mund të demonstrojnë se kanë pësuar dëm personal, qoftë fizik, mendor apo material, si pasojë e drejtpërdrejtë e krimeve të pretenduara që përfshihen në aktakuzën e konfirmuar. Për miratimin e kërkesave për pjesëmarrjes në proces si viktimë, vendos një gjykatës.

“Zëri i viktimave është jetik për drejtësinë. Përmes mbrojtësve të tyre, viktimat pjesëmarrëse mund të ushtrojnë të drejtat e tyre që u ofrohen prej kornizës sonë ligjore e cila mundëson që zëri i tyre të dëgjohet prej gjykatësve kompetentë,” citohet të ketë thënë Kryetarja, Ekaterina Trendafilova.

Sipas komunikatë, viktimat pjesëmarrëse në procesin gjyqësor mund të formojnë një ose më shumë grupe. Pjesëmarrje e tyre realizohet përmes një avokati që quhet ‘Mbrojtësi i viktimave’.

Mbrojtësit e viktimave mund t’i bëjnë parashtrime panelit kompetent dhe t’i mbajnë viktimat të informuara gjatë procesit.

“Pjesëmarrja e viktimave është një program kyç i institucionit tonë. Pas aktiviteteve intensive të ndërgjegjësimit e komunikimit me komunitete të ndryshme në Kosovë dhe Serbi për informimin e njerëzve mbi të drejtat e viktimave në DHSK, tani po hyjmë në fazën vijuese të procesit. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave është e gatshme të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar personat në plotësimin e formularit të kërkesës”, citohet të ketë thënë Administratorja, Fidelma Donlon.

Ndërsa duke folur mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së viktimave, Prokurori i Specializuar Xhek Smith ka thënë se “Krimet e pretenduara që përfshihen në aktakuzat e parashtruara nga zyra ime janë krime të rënda dhe gjatë përpjekjeve tona për realizimin e drejtësisë, nuk duhet të harrojmë vuajtjet e viktimave. Pjesëmarrja në proceset gjyqësore mund të jetë një përjetim fuqizues për viktimat dhe që mundëson dëgjimin e zërit të viktimave.”