Pamje nga seanca e sotme e rastit "Stenta 2" - Foto: KALLXO.com

Gjykata sot pritet të vendosë për rastin 'Stenta 2'

Në Gjykatën e Prishtinës sot shpallet aktgjykimi për 36 kardiologët e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dhënie e marrje ryshfeti në rastin e njohur si “Stenta 2”.

Trupi gjykues i cili pritet të vendosë për këtë rast përbëhet prej kryetares Suzana Qerkini dhe anëtarëve Lutfi Shala dhe Mentor Bajraktari.

Aktakuzën e ngritur nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit në vitin 2016 po e përfaqëson Prokurorja nga Prokuroria Speciale, Florije Shamolli.

Aktakuza për këtë rast është ngritur mbi 7 vite më parë ndërsa që atëherë rasti është ndarë në tri pjesë.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lezer Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Reshat Emra, por i njëjti ka vdekur dhe kundër tij ka pushuar procedura.

Pjesë e këtij grupi të të akuzuarve ishte edhe Daut Gorani. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, palët në procedurë janë pajtuar që ndaj tij të veçohet procedura.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendonte se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 60 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publikë e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie e ryshfetit, trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.