(ilustrim) Agim Çeku në gjykatë si i akuzuar në rastin "Veteranët" - FOTO: Laurant Berisha/KALLXO.com

Gjykata obligon Prokurorinë t'i prezantojë 19,500 aplikimet për statusin e veteranëve

Gjykata e Prishtinës e ka obliguar Prokurorinë Speciale që t’i prezantojë 19,500 aplikimet për statusin e veteranit të personave që sipas Prokurorisë e kanë fituar këtë status në mënyrë të kundërligjshme.

“Me qëllim të vërtetimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike dhe po ashtu pas insistimit nga prokurori i Prokurorisë Speciale se ishte kërkesë e trupit gjykues që të bëhet selektimi i këtyre aplikacioneve, andaj gjykata si trup gjykues ia jep mundësinë prokurorit të Prokurorisë Speciale dhe obligon që t`i prezantojë 19,500 aplikacione të cilat do t`i dorëzoj në formë elektronike në formën word dhe të listuara ashtu siç ju pretendoni sipas atyre shkeljeve”- tha gjyqtari Gazmend Bahtiri në seancën gjyqësore në rastin “Veteranët”.

Prezantimi i detajuar i këtyre aplikimeve do të bëhet në seancën e datës 25.09.2024, krejt kjo pas rekomandimit që kishte dhënë Gjykata e Apelit me vendimin e datës 21.03.2022, me të cilin e kishte kthyer rastin në pikën zero.

Të pandehurit Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari ishin liruar nga akuza më 19.01.2021.

Me të filluar seanca gjyqësore, prokurori Valdet Gashi tha se janë të gatshëm që me qëllim që të mos administrohen plot 19,500 mijë aplikime, me vendim të trupit gjykues mund që të bëjnë selektimin e një pjese të tyre.

“Nëse Gjykata tani e vlerëson që të administrohen të gjitha aplikacionet si prova, nëse është vendim i Gjykatës tani që të administrohen një pjesë e këtyre aplikacioneve duke u bazuar në pretendimet e Prokurorisë si në aktakuzë, atëherë Prokuroria është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë, por kjo nuk nënkupton se Prokuroria heq dorë nga provat e tjera, konkretisht aplikacionet e tjera të propozuara për administrim… Ne jemi të gatshëm me bo elaborimin e një pjese të aplikacioneve nëse Gjykata e merr një vendim të tillë dhe e vlerëson se është e arsyeshme dhe e mjaftueshme”- tha Gashi.

Lidhur me këto propozime kishte reagime nga avokatët dhe të akuzuarit, duke propozuar rekomandime të tjera.

Ramë Gashi, avokat i Agim Çekut, tha se nëse vendoset që të merret një mostër nga 19,500 aplikacionet, sipas tij më mirë është të merren së paku 2 ose 3 aplikacione për secilën zonë.

“Në qoftë se Gjykata vendos që të përcaktojë një numër të caktuar të aplikacioneve atëherë mendoj së paku 2 apo 3 aplikacione për secilën zonë kishte me qenë plotësisht e mjaftueshme”- tha Gashi.

Kurse i akuzuari Shkumbin Demaliaj tha se ose duhet të prezantohen 19,500 aplikacionet ose mos të elaborohet asnjëra prej tyre.

“Unë mendoj ose krejt ose hiç, të vijnë 19,500 të shqyrtohen për shkak se neve ma shumë na u ka bërë gjyq publik sesa gjyq”- tha Demaliaj.

Rasti “Veteranët” po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i kryesuar nga Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Kushtrim Shyti.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 24.03.2022 dhe seanca e parë e rigjykimit u mbajt më 31.10.2023.

Kujtojmë që Apeli kishte kthyer lëndën në pikën zero për t’u gjykuar përsëri pas vendimit të Themelores me të cilin i kishte liruar nga akuza të pandehurit për këtë rast.

Prokuroria Speciale që nga viti 2018 po i akuzon 12 persona, në krye me Agim Çekun, për keqpërdorim të detyrës gjatë kohës që ishin pjesë e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit.

Agim Çeku dhe të tjerët akuzohen se gjatë kohës kur kanë qenë anëtarë të Komisionit qeveritar në mënyrë të qëllimtë nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre dhe i kanë keqpërdorur të njëjtat në mënyrë që të tjerëve t`u sjellin përfitim pasuror.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e Komisionit duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë Komisioni ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë statusin e veteranit në mënyrë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga ky status.

Rasti kishte ngjallur shumë debate në publik pasi prokurori i cili e kishte hetuar dosjen e veteranëve ishte larguar nga Kosova.

Menjëherë pas lirimit të 12 të akuzuarve, ish-prokurori Elez Blakaj kishte reaguar duke e konsideruar si të qëllimshëm lirimin e tyre pasi sipas tij nuk ishin administruar as gjysma e provave.