Gjyqtarja Nusha Kuka-Mekaj gjatë shpalljes së aktgjykimit në rastin "Veteranët"

Arsyetimi i Gjykatës për lirimin e të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve

Gjykata e Prishtinës i ka liruar sot nga akuza për keqpërdorim detyre anëtarët e Komisionit për Verifikim të aplikantëve për statusin e veteranit.

Ky vendim erdhi gati dy vjet e gjysmë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u liruan nga akuzat të cilat i ngarkonin ata lidhur me fryrjen e listave të veteranëve luftëtarë për 19,500 persona.

Të akuzuarit ngarkoheshin se në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vet komisioni ua kanë mundësuar  dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka – Mekaj pasi ka shpallur aktgjykimin lirues ka renditur një varg arsyesh mbi të cilat e ka bazuar aktgjykimin lirues.

“Në vlerësim të këtyre ligjeve, PSRK në dispozitiv të aktakuzës nuk ka përcaktuar se cilat kanë qenë detyrat e komisionit dhe cilat detyra nuk I ka përmbushur, gjykata ka gjetur se fillimisht ishte punuar me një vendim të qeverisë të vitit 2012 i cili e ka shfuqizuar vendimin numër 4/121 të qeverisë së RKS të datës 22/04/2010, pastaj si akt nënligjor ka pasur rregullorja 23/2011 në bazë të së cilës është përcaktuar metodologjia e punës dhe kompetencat e KVSH”, tha Mekaj në shpalljen e aktgjykimit.

Po ashtu, gjyqtarja ka thënë se nuk është gjetur se të akuzuarit kanë vepruar në shpërputhje me detyrat e tyre.

“Në rastin konkret është gjetur se KVSH nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim të vetëm jashtë detyrave të tyre zyrtare me ligjet dhe rregulloret në fuqi”, tha Mekaj.

Mekaj po ashtu tha se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës ishte e shoqëruar me paqartësi.

“Nëse ndalemi në këtë pjesë të dispozitvit duket se kemi kundërthënie dhe paqartësi sepse në njërën anë thuhet se si anëtarët e KVSH-së kanë keqpërdorur detyrën ndërsa në anën tjetër se KVSH i autorizon përfaqësuesit e zonave për të bërë kategorizimin  e veteranëve luftëtarë apo të kategorive tjera dhe shtrohet pyetja se të akuzuarit a kanë vepruar si përfaqësues të zonave apo si anëtarë të KVSH-së dhe nëse kanë vepruar si përfaqësues të zonave a e kanë pasur cilësinë e personit zyrtar”,tha ajo.

Kuka- Mekaj duke arsyetuar lirimin e të akuzuarve përmendi edhe dy ligje të ndryshme të cilat rregullojnë statusin e veteranit luftëtar dhe të cilat kishin ndryshime mes tyre.

Pra siç shihet ka një ndryshim në Ligjin 04/L – 261 sa i përket këtij kriteri ku janë kategorizuar statuset e veteranit luftëtar megjithatë procesi i verifikimit dhe njohjes se statusit të veteranit ishte filluar tri vite më herët para se të hyjë në fuqi ky ligj dhe kjo ka nxitur debate në KVSH se në bazë të së cilit ligj duhej njohur statusi i veteranit pasi që të dy ligjet ishin në fuqi dhe kjo më pas është shfrytëzuar edhe në të drejtën e ankesës nga aplikuesit”, tha Kuka-Mekaj.

Kuka – Mekaj më tej duke arsyetuar aktgjykimin lirues tha se Gjykata nuk kishte pasur për detyrë vlerësimin nëse 19,500 aplikacionet e përfituesve për veteranë luftëtarë ishin të kundërligjshme apo jo.

“Sa i përket 19 e 500 aplikacioneve të cilat pretendohet nga PSRK se janë të kundërligjshme dhe në bazë të tyre ka përfitues të kundërligjshëm, kjo Gjykatë nuk e ka pasur objekt shqyrtimi që të vlerësoj se këta përfitues janë të ligjshëm apo të kundërligjshëm pasi që PSRK ka ndarë hetimet dhe të gjithë aplikantët për të cilët pretendohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme që nga viti 2017 janë në kompetencë të hetimit nga prokuroritë regjionale dhe sipas përfaqësuesit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale deri më tani kemi të bëjmë vetëm me një aktgjykim të formës së prerë i cili ka të bëjë me falsifikim të dokumentit – certifikatës së veteranit”,tha Kuka – Mekaj

Mirëpo, pak më tej në arsyetimin e saj, gjyqtarja Kuka-Mekaj tregoi se disa prej 19,500 përfituesve për të cilët Prokuroria pretendon se janë të kundërligjshëm – në fakt nuk janë.

“Gjatë administrimit të provave Gjykata ka ardhur në përfundim se në mesin e 19 mijë e 500 personave që pretendohet se janë përfitues të kundërligjshëm nga të gjithë dëshmitarët dhe të akuzuarit është vërtetuar se një numër i këtyre personave gjenden pa të drejtë në këto lista në të cilat janë përmendur me emër dhe mbiemër gjatë shqyrtimit gjyqësor për çka gjykata konstaton se nuk është i saktë dhe i drejtë numri prej 19,500 personave”, tha Kuka-Mekaj.

Tutje në arsyetim gjyqtarja i vuri në barrë Qeverisë përgjegjësinë për të audituar punën e KVSH-së dhe po ashtu për të ndaluar përfitimet e kundërligjshme nëse vëreheshin të tilla.

Gjyqtarja Kuka-Mekaj po ashtu arsyetoi se të akuzuarit nuk kishin dashur të kryenin veprime të kundërligjshme duke konstatuar mungesën e elementit të veprës penale – dashja. Ajo madje e fajësoi Qeverinë që i ka dhënë vetëm 1 javë kohë KVSH-së për të përgatitur raportin përfundimtar.

“Gjatë procesit gjyqësor është konstatuar se Qeveria e Kosovës me vendimin e datës 13 maj 2016 ka obliguar KVSH-në se deri më datë 20 maj 2016 të përmbyllë procesin dhe Qeverisë t’i dërgojë raportin përfundimtar me gjithë dokumentacionin përcjellës që do të thotë se KVSH ka pasur vetëm një afat për të mbyllur raportin dhe KVSH ka vepruar sipas këtij vendimi të Qeverisë dhe raportin me të gjitha provat ja ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe në këtë rast i ka pamundësuar të bëjë një verifikim të mirëfilltë për të bërë krahasimin e listave me aplikacionet siç ka përcaktuar dispozita e nenit 6 e Ligjit 04/L- 261 dhe me këtë rast është gjetur se ka munguar dashja e anëtarëve të KVSH-së që kundërligjshëm t’ua njohin statusin e veteranit luftëtar siç pretendohet në aktakuzë”, tha Kuka-Mekaj.

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, Prokuroria mund të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, akuzoheshin se gjatë intervalit kohor nga data 28/10/2011 e deri me 31/1/2017 në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në cilësinë e personave zyrtar si anëtar të komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit e luftës së UÇK-së, duke shfrytëzuar detyrën nga autoriteti zyrtar me dashje nuk I kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe i kanë tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që të tjerëve t’ju sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm në dëm të buxhetit të Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vazhdimësi të këtij procesi të akuzuarit e këtij procesi i në cilësinë e anëtarëve të komisionit në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vet komisioni ua kanë mundësuar  dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së, përkundër faktit se nga aplikacione të plotësuar dhe dorëzuara vërtetohet qartë se ata u takonin kategorive të tjera të veteranëve si: Pjesëtar të UÇK-së, që ishin caktuar të kryejnë detyra të tjera si në mbështetje politike, logjistike, financiare, shëndetësore dhe detyra të tjera të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999.