Luan Maloku në gjykatë Foto: Arkiv

Gjykata e shpall fajtor ish-këshilltarin e Fatmir Limajt, i akuzuar për mosdeklarim të pasurisë

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor sot ish-këshilltarin politik të Fatmir Limajt, Luan Maloku për mosdeklarim të saktë të pasurisë.

I njëjti dënohet me 6 muaj dënim me burgim me kusht dhe dënim me gjobë në shumën prej 700 euro.

Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti brenda një periudhe kohore prej një viti nuk do të kryejë ndonjë vepër tjetër penale.

Gjykata ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese faktin se i njëjti nuk ka kryer vepra penale në të kaluarën.

Shpallja e aktgjykimit është bërë në zyrë sepse palët nuk kanë qenë prezentë.

Luan Maloku, i akuzuari për mos raportim të saktë të mëditjeve dhe të hyrave, kishte pranuar fajësinë lidhur me pretendimin e Prokurorisë në Prishtinë.

Prokuroria akuzon Malokun se kishte deklaruar 6 mijë e 720 euro për paga dhe mëditje në vend që t’i deklaronte 15,919.22 euro.

I njëjti arsyetimin e tij në gjykatë e dha duke thënë se kishte qenë një lëshim i tij, pasi që nuk kishte qëllim që të mos e deklarojë pasurinë. Tutje Maloku tha se ka qenë një lëshim nga ana e tij, duke marrë për bazë që në po të njëjtin vit Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për të ngritur pagat në 100%.

“E pranoj fajësinë, ka qenë një lëshim i imi dhe unë nuk kam pasur kurrfarë qëllimi, unë e kam deklaruar pasurinë, por atë vit janë rrit pagat 100%, së të gjitha mjetet aty që flitet janë mjete të thesarit që kanë kaluar direkt në bankë. Edhe puna e mëditjes edhe e pagës ka kaluar nga thesari i shtetit te kontoja ime private”- u deklarua Maloku.

I njëjti nga gjyqtari i vetëm gjykues, Eroll Gashi, kërkoi që t’i shqiptohet dënim sa më i butë duke marrë për bazë që momentalisht është i pa punë.

Kurse Prokuroria e Shtetit nuk e kundërshtoi këtë pranim të fajësisë nga i pandehuri.

Sipas aktakuzës, Maloku në cilësinë e ish-këshilltarit politik në Zyrën e Kryeministrit ka vepruar në kundërshtim me ligjin për deklarim të pasurisë.

I njëjti sipas aktakuzës ka qenë i detyruar që të deklarojë prejardhjen e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit. I njëjti nuk ka deklaruar saktë të hyrat dhe mëditjet si ish-këshilltar politik në Zyrën e Kryeministrit për tërë vitin 2019.

I njëjti për mëditje dhe pagë kishte deklaruar vetëm 6 mijë e 720 euro kurse ishte dashur të deklaroj 15,919.22 euro.

Kështu sipas prokurorisë i njëjti ka konsumuar elementet e veprës penale mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë.