Foto-ilustrim

Gjilan, të dyshuarit për rrëmbim nesër dalin para gjykatësit

Dy zyrtarë policorë, V.K. dhe B.N., një punëtor i RTK-së, F.S.  dhe dy persona të tjerë, V.K. dhe M.I., janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se të njëjtit kishin rrëmbyer dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe nga ta kishin kërkuar para.

Ata nesër pritet të dalin para gjyqtarit të procedures paraprake për t’u përballur me kërkesen e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Dosja e Prokurorisë në Gjilan përshkruan në detaje ngjarjen në të cilën u përfshinë edhe zyrtarët policorë.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, e cila tregon se të rrëmbyerit edhe ishin kërcënuar me armë nga zyrtarët policorë se nëse lëviznin do të qëlloheshin me plumba.

Sipas Prokurorisë, nga data 16.02.2021 nga ora 22:00 gjerë më 17.02.2021 në ora 14:00, të dëmtuarit nën presion-kërcënim të armëve nga të pandehurit i kanë zhveshur të dëmtuarit, pastaj i kanë prangosur me pranga të plastikës duke ua dërguar videot familjarëve të të dëmtuarve.

Tutje, sipas Prokurorisë, njërit prej të dëmtuarve ia kanë marrë 100 euro, 100 franga dhe 4,000 denarë.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, njërit nga të rrëmbyerit i janë marrë 40 euro deri sa i njëjti ka qenë i prangosur nën kërcënim të armës.