Gjilan, asnjë rast i dyshuar me coronavirus

Asnjë rast i dyshuar me coronavirus nuk është identifikuar në Gjilan.

Kështu ka thënë në një konferencë për media nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili shtoi se kanë pasur takim me kryetarët e këshillave të fshatrave të Gjilanit dhe i kanë njoftuar për detyrat që ata i kanë.

“Nuk ka asnjë rast të dyshuar me coronavirus në Gjilan dhe shpresoj e besoj se qyteti i Gjilanit nuk do të ketë telashe të tilla. Është për t’u vlerësuar besim i qytetarëve dhe angazhimi i tyre për t’i respektuar vendimet dhe rekomandimet që i ka kërkuar Qeveria”, tha Ismajli.

“Ka gatishmëri të njerëzve të vullnetit të mirë për me ndihmu me gjërat elementare dhe komunën edhe raste të ndryshme. Gjithashtu me vendim të kryetarit, shumica e stafit të komunës nuk do të punojnë dhe drejtorët do të punojnë me staf të reduktuar”, shtoi ai.

Nënkryetari i Gjilanit shtoi se drejtoritë të cilat janë duke punuar me staf të kompletuar janë ajo e Inspekcionit, Shëndetësisë dhe Emergjencës.

Kurse, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemajli tha se qytetarët e Gjilanit janë duke i respektuar tërësisht vendimet e Qeverisë.

“Ne jemi duke e përcjellur në baza ditore implementimin e masave dhe mund të them se mbi masën 90% janë duke u respektuar vendimet, ndoshta edhe më tepër se që duhet ne raporte me implemtimin e vendimit të Qeverisë që ka të bëjë me ndalimin e punës të operatorëve ekonomik”, tha Xhemajli.

Kosova të premten zyrtarisht ka hyrë në mesin e shteteve të prekura me coronavirus. Deri më tani janë shënuar 13 raste me këtë virus.

Këto raste janë nga qytete të ndryshme si Vitia, Malisheva, Klina dhe Podujeva.