Gjilan, 2 të arrestuar, dyshohet se kanosnin e u bënin presion qytetarëve të votonin Listën Serbe

Prokuroria e Gjilanit ka ndaluar dy persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh nën dyshimin se kanë kryer veprën penale – cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit Z.D. dhe V.B., që nga data 26 shtator 2019 në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kanë kanosur të dëmtuarit O.K., S.K. dhe J.K., që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019 të përkrahin dhe të votojnë Listën Serbe.

“Të dyshuarit, fillimisht më 26 shtator 2019, kanë ushtruar presion tek i dëmtuari O.K., duke e futur në veturë kinse për ta kontrolluar, pastaj e kanë kanosur përmes telefonit, në mënyrë që i njëjti t’iu bindej udhëzimeve të tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Ndërsa, më 27 shtator 2019, të dyshuarit e lartshënuar kanë vazhduar presionin ndaj të dëmtuarit S.K., në atë mënyrë që e fusin në veturën e tyre, kinse për të biseduar pavarësisht vullnetit të tij, deri atëherë kur i dëmtuari e shfrytëzon momentin kur vetura nuk ishte në lëvizje dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Në vazhdën e presionit të vazhdueshëm të partisë Lista Serbe ndaj anëtarëve të partisë SLS, dyshohet që për shkaqe politike, të dëmtuarës J.K., i është ndërprerë marrëdhënia e punës nga Shtëpia e Shëndetit në fshatin Pasjan dhe vendimi të njëjtës i është dorëzuar më 30 shtator 2019.

Prokuroria e Gjilanit për këtë rast, përpos deklaratave të të dëmtuarve – dëshmitarëve, posedon edhe prova tjera materiale (incizime telefonike, sms) dhe brenda afatit ligjor do të vendosë mbi masën e sigurisë së të pandehurve, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale, thuhet në komunikatë.