Gjermania akrediton atasheun e mbrojtjes së Kosovës

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur së nënkolonel Besim Gashi, është akredituar atashe i mbrojtjes në Ambasadën e Kosovës në Gjermani.

Gashi, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të shërbejë për herë të parë si atashe i mbrojtjes në Gjermani, pasi kjo e fundit, ka marrë vendim për njohjen e statusit të plotë të atasheut të mbrojtjes.

“Njohja e statusit të atasheut të mbrojtjes të Republikës së Kosovës nga Gjermania, është bërë në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë bilateral në fushën e mbrojtjes ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës si dhe në kuadër të forcimit dhe avancimit të këtyre marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria e Mbrojtjes ka se theksuar se gatishmëria e Gjermanisë, shtet mik dhe partner strategjik i Kosovës, për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin, është tregues i qartë se Ministria e Mbrojtjes ka vizion të qartë në ndërtimin dhe fuqizimin e mirëbesimit dhe bashkëpunimit me shtete partnere siç është Gjermania.

Atasheu i mbrojtjes, nënkolonel Gashi pranoi detyrën zyrtarisht nga paraardhësi i tij, atasheu i sigurisë, kolonel Xhavit Sadrijaj dhe u prit nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani Beqë Cufaj.

Në njoftimin e Ministrisë është bërë e ditur që gjatë javës, pritet që nënkolonel Gashi të zhvillojë takimet e para me autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes të Gjermanisë, Bundeswehr-it, për të vazhduar me takimet me homologët nga kori i atasheve të akredituar në Gjermani.