Ura e Badovcit e demtuar

Ura në liqenin e Badovcit, Foto: KALLXO.com

Gjendja e urës në Badovc, Ministria e Infrastrukturës thotë se po bën projektin për rindërtimin e saj

Ura te liqeni i Badovcit, në magjistralen Prishtinë – Gjilan, ka gati dy javë që është mbyllur.

Kjo po iu pamundëson qarkullimin e rregullt udhëtarëve, të cilët e marrin këtë rrugë për nevojat e tyre.

Mbyllja e urës ka zgjatur rrugën e qytetarëve që udhëtojnë në magjistralen Prishtinë-Gjilan, pasi që ata po detyrohen të ndjekin një rrugë të paasfaltuar për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, duke iu humbur kështu edhe kohë.

Ndërkaq, nga Ministria e Infrastrukturës kanë thënë se janë në procesin e hartimit të projektit për këtë urë, pasi e njëjta duhet rindëruar, pasi është pothuajse “para-shembjes”.

KALLXO.com më 8 maj ka publikuar pamjet e gjendjes së urës, si dhe ankesat e qytetarëve.

Qytetarët që kanë folur para kamerave të KALLXO.com, janë shprehur të pakënaqur me këtë situatë, pasi që ka prej tyre që e shfrytëzojnë disa herë këtë rrugë.

“Jam udhëtar, gati për çdo ditë udhëtoj në këtë rrugë, se jam edhe banor i fshatit – Mramorit, këtu. Vështirësi të mëdha për, edhe po më duket që është neglizhencë e mirëmbajtjes së rrugëve apo kush është, ministria apo kush është përgjegjës për këtë” – tha Sylejman Gashi.

Se është mbyllur edhe më parë kjo urë, ka treguar udhëtari tjetër, Afrim Vrajolli, i cili shprehet se, edhe pse e kanë mbyllur këto ditë, nuk kanë filluar të punojnë fare.

“E kemi shfrytëzu këtë rrugë nja 3-4 muaj, pas 3-4 muaj ia prenë shiritin që u ndërtu e re, e di do mbajtëse i kanë ngjyrosë, sen s’ka ba, ishalla s’ndodhë ajo” – ka thënë Vrajolli.

Sipas Vrajollit, kjo urë ka nevojë të shembet, dhe të ndërtohet e re, që të mos përsëritet e njëjta gjendje.

Kurse, Jeton Islami, nga Prishtina e bën këtë rrugë disa herë, dhe sipas këtyre ditëve që ka udhëtuar, ai nuk ka parë se është punuar në të. Përdorimi i rrugës së paasfaltuar po shkakton shumë pluhur dhe ky është problemi shtesë për të dhe të tjerët.

Lidhur me këtë problem të pluhurit, qytetari Rabit Sadiku, ka kërkuar që të paktën, nëse nuk asfaltohet gjatë kësaj kohe, të vendoset ndonjë cisternë me ujë, në mënyrë që të evitohet pluhuri.

“Shumë, se duhet me u sjell nëpër pluhur, po e shihni edhe vet edhe për ambient është katastrofë, krejt mali është bërë pluhur. Rruga u mshel, punë nuk ka, nuk e di kush e ka marr tenderin a qysh u shku kjo punë, veç seriozisht katastrofë” – është shprehur Islami.

Ai dhe qytetarët tjerë, bëjnë thirrje që të rregullohet kjo urë sa më shpejt që është e mundur.

“Rruga u mshel, okej, e dimë që u dëmtu kjo urë po këto punë duhet të bëhen pak më plan, jo veç po e mshelim rrugën edhe këqyrim kur mundemi me dal me punu, ndoshta dalim. Kjo është e papranueshme mendoj, edhe duhet këtu ministria me këqyr çka është duke ndodhë, inspektorat duhet me dalë me pa kush e ka marrë tenderin edhe pse s’po punojnë” – ka bërë thirrje Islami.

Nga Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit kanë thënë se, kjo urë është pothuajse “para-shembjes” dhe është konstatuar nga inxhinierët e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve se duhet rindërtuar.

‘’Aktualisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, (MMPHI)  është në procesin e hartimit të projektit për këtë urë, i cili do të tregoj shkallën e ndërhyrjes edhe koston financiare të kësaj ndërhyrje’’ – kanë thënë nga ministria, për KALLXO.com.

Ata janë përgjigjur po ashtu lidhur me rrugën e paasfaltuar, që është duke u përdorur momentalisht nga qytetarët.

‘’Në ndërkohë, ne kemi përgatitë bazën e rrugës alternative të cilën, në varësi prej kohës së nevojshme për ndërtimin e urës së re edhe do ta asfaltojmë’’ – kanë përfunduar në përgjigjen e tyre me shkrim, nga ministria.