Foto: Ilustrim

Gjendet i vdekur një person në burgun e Hajvalisë, SHKK jep detaje

Një person i cili po mbahej në paraburgim në qendrën e paraburgimit në Hajvali, është gjetur i vdekur në qelinë e tij.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë se Y.D. 32 vjeç, dyshohet se ka kryer vetëvrasje me jelekun e tij në njërën nga dritaret e qelisë ku po qëndronte.

“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të qendrës, me ç’rast edhe është dërguar me urgjencë në Emergjencën e SHSKUK-së, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur ta kthejnë në jetë, dhe si pasojë i njëjti ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet në njoftimin e SHKK.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka thënë edhe se i paraburgosuri ka pasur disa shprehi negative, duke qenë edhe recidivist i dhunës në familje.

32 vjeçari ndodhej në paraburgim për veprën penale dhunë në familje.

Lidhur me rastin janë njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe Prokurori, ndërsa SHKK ka themeluar Komisionin Hetimor Administrativ.

Stafi mjekësor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin ndërsa trupi i pajetë i 32 vjeçarit është dërguar për obduksion.

Sipas SHKK, pas raportit të autopsisë do të verifikohet shkaku i vdekjes.