Ilustrim - Foto: KALLXO.com
Gjashtë raste të gjuajtjes me armë në ahengje brenda 24 orëve
Vetëm në 24 orët fundit janë regjistruar gjashtë raste nga Policia e Kosovës për gjuajtje me armë në ahengje familjare.
Rastet janë iniciuar për veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas raportit policor, tri janë regjistruar në Ferizaj, në fshatrat Greme, Slivovë dhe në rrugën “Kadri Zeka”.
Të dyshuarit janë identifikuar e pas intervistimit nga prokurori janë liruar në procedurë të rregull.
Ndërsa, në një aheng familjar në Podujevë janë gjetur 29 gëzhoja të pistoletës, një predhë dhe 9 gëzhoja të pushkës gjysmëautomatike, që janë konfiskuar.
Edhe në Istog Policia ka arrestuar një person që kishte shtënë me pistoletë.
Pistoleta me karikator të zbrazët dhe leja e armës janë konfiskuar, e me vendim të prokurorit, rasti është procedurë si i rregullt.
Në Mitrovicën eJugut është iniciuar vepra penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, pasi një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në një aheng.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur 14 gëzhoja të pistoletës të cilat janë konfiskuar. I dyshuari i lartcekur në mënyrë vullnetare ka dorëzuar një pistoletë me gaz. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt” – thuhet në njoftim.
Përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje dhe gëzime familjare është e ndaluar me ligj.