Ilustrim, Foto: Gerd Altmann

Gjashtë raste të dhunës në familje raportohen në 24 orët e fundit në Polici

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës.

Rastet janë raportuar në Gjilan, Prizren, Klinë, Mitrovicë dhe dy raste në Malishevë.

Një burrë është arrestuar dje në Gjilan nën dyshimin se kishte kanosur, frikësuar dhe shqetësuar bashkëshorten e tij me 10 shkurt të këtij viti. Sipas Policisë me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Dje në Prizren një i mitur është arrestuar nën dyshimin se kishte sulmuar fizikisht babain e tij. Sipas Policisë me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në qytetin e Klinës një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:00 ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Malishevë një burrë është arrestuar në dyshimin se më datë 14 shkurt ka goditur babain e tij më një mjet të fortë. Viktimës i është dhënë tretman mjekësorë.

I dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje ndërsa dyshohet se i njëjti është me probleme mentale dhe është nën masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Një tjetër rast i dhunës në familje është regjistruar në Malishevë. Një grua dyshohet se bashkëshorti i saj i cili ndodhet jashtë shtetit, është duke e thirrur në telefon dhe duke e kanosur dhe kërkuar nga ajo që të largohet nga shtëpia. Sipas Policisë ankuesja është dërguar në shtëpi të sigurt – strehimore ndërsa rasti është në hetime

Në Mitrovicë Policia ka arrestuar nën dyshimin se për shkak të një mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, janë përfshirë në rrahje në mes veti. Ngjarja ka ndodhur dje dhe sipas Policisë të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor, dhe pas intervistimit, në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.