Gjakovë, Drejtori i Infermierisë dënohet për mosdeklarim të pasurisë

Skender Ndrecaj, Drejtori i Infermierisë në spitalin e Gjakovës u dënua me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë

Ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Sot, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, i akuzuari Skender Ndrecaj ka pranuar fajësinë për veprën që i ngarkohet.

Ai tha se kishte pasur ndërhyrje kirurgjike në periudhën kur është dashur të deklarohej për pasurinë e tij.

Kujtojmë se Skender Ndrecaj me datë 19 shkurt të këtij, në gjykimin për keqpërdorim me uniformat e spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht, nën akuzën se  se kishte bërë presion tek depoisti i spitalit për pranimin e sasisë më të vogël të mantelave.

Ndërsa sot, pas pyetjes së gjykatësit Mentor Bajraktari, se a është duke u zhvilluar ndonjë procedurë penale ndaj tij ose nëse ka qenë i dënuar për ndonjë vepër penale, i njëjti është deklaruar me përgjigjen “jo”.

Prokuroria e Gjakovës po akuzon Skender Ndrecajn për mosdeklarim të saktë të pasurisë së tij.

Aktakuza shpjegon se Ndrecaj duke qenë në pozitën e Drejtorit të Infermierisë në spitalin e Gjakovës, në afatin e paraparë ligjor nuk ka paraqitur të dhënat e tij pasurore nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2017.

Këto të dhëna ai është dashur t’i dërgojë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, për çka edhe ngarkohej me veprën penale mo sraportim apo raportim i rrejshëm i pasurisë.