Ministrja Donika Gërvalla dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorious - Foto: MPJD

Gërvalla takon ministrin gjerman të Mbrojtjes, flasin për sigurinë në Kosovë dhe në rajon

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka takuar ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorious.

Sipas njoftimit, temat kyçe të takimit ishin bashkëpunimi mes dy shteteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, harmonizimi i politikave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe integrimi i Kosovës në NATO.

“Në kuadër të këtij takimi, Ministrja Gërvalla e njoftoi ministrin Pistorius rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon, veprimeve të vazhdueshme kërcënuese të Serbisë dhe nevojën e ndërmarrjes së hapave të shpejtë dhe të vendosur për ruajtjen e paqes së brishtë në rajon”- thuhet në njoftim.

Gërvalla e ka falënderuar ministrin gjerman për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në veçanti për mbështetjen e madhe që Gjermania i ka dhënë FSK-së në ngritjen e kapaciteteve si dhe kontributin e Gjermanisë të dhënë prej vitesh në kuadër të KFOR-it.

“Gërvalla kërkoi një rritje dhe përforcim të rolit të Gjermanisë në rajon”- thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Ndërsa është bërë e ditur që ky takim është zhvilluar në prag të vizitës të ministrit gjerman në Kosovë.