Donika Gervalla

Gërvalla: Evropa nuk i ka kërkuar Serbisë t'i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka kërkuar nga Serbia që t’i përmbushë detyrat e saj për implementimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Shefja e diplomacisë kosovare në fjalën e saj në seminarin Rose-Roth tha që dialogu nuk ka të bëjë vetëm me targat por ka edhe çështje të tjera.

“Dialogu nuk ka të bëjë me targat, janë edhe çështjet praktike. Serbia i pengon këto çështje praktike në kuptim të realizimit, Evropa nuk është ankuar dhe nuk ka kërkuar nga Serbia t’i përmbushë detyrat që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara” – tha ajo në seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën  “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”, që po mbahet në Prishtinë.

Sipas saj, edhe për dialogun Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian duhet të kuptojë se realiteti në këtë proces ka ndryshuar pas rreshtimit të Serbisë me Rusinë.

“Dialogu është me rëndësi në kuptim të përmbajtjes dhe nëse ndryshon realiteti, nuk nënkupton se nuk duhet të ndryshohet përmbajtja nëse një prej këtyre palëve po u jep një shuplaktë fytyrës partnerëve në Perëndim dhe rreshtohet me një kriminel të luftës”, tha ajo

“Çfarë i thotë kjo z. Vuçiq dhe Putinit? Çfarë thotë kjo në sytë e Perëndimit? A nuk e dërgon kjo mesazhin që ne Perëndimi jemi aq të dobët që nuk mund të përshtatim lëvizjet tona kur dikush rreshtohet me dikë që kërcënon paqen dhe kërcënon me përdorim të armëve bërthamore?” – pyeti ministrja.

Sot po mbahet dita e dytë e seminarit Rose-Roth i cili organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri.

Qëllimi kryesor i seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.